Arkitektura e Stagnimit: Si e vendosi BE-ja dialogun Kosovë-Serbi në një status quo të re? – Orhan M. Çeku

Arkitektura e Stagnimit: Si e vendosi BE-ja dialogun Kosovë-Serbi në një status quo të re? – Orhan M. Çeku

Pas më shumë se një dekade dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjenden përballë një paradoksi politik: dialogu vazhdon, marrëveshjet ekzistojnë, mekanizmat e zbatimit janë krijuar, por normalizimi mbetet larg. Procesi që nisi me ambicien për të transformuar raportet ndërmjet dy shteteve duket se gradualisht është shndërruar në një mekanizëm për administrimin e krizave dhe ruajtjen e një ekuilibri të brishtë. Në vend të zgjidhjes së konfliktit politik, është krijuar ajo që mund të quhet arkitekturë e stagnimit. Dialogu mes Kosovës e Serbisë, duket se ka hyrë në një fazë të re, ku qëllimi kryesor nuk është më arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke, por menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme në terren. Pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023 dhe Aneksi i zbatimit të Ohrit, të cilat u proklamua si një kthesë historike, procesi ka ngecur në një rreth vicioz akuzash, vendimesh shtetërore dhe mungese të gatishmërisë politike nga të dyja palët. Kjo gjendje e ka transformuar dialogun nga një mjet zgjidhjeje në një instrument të administrimit të status quo-së.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sørensen, ka nëvizuar vazhdimisht se përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjeve u takon drejtpërdrejt Prishtinës dhe Beogradit. Në prononcimet e tij zyrtare, Sørensen ka deklaruar se “rruga e të dyja vendeve drejt integrimit evropian kalon nevojisht përmes zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, pa parakushte dhe pa vonesa të mëtejshme”. Sidoqoftë, përkundër kësaj retorike nga Brukseli, mekanizmat e BE-së për të ndëshkuar moszbatimin apo për të shpërblyer progresin kanë humbur peshën e tyre ndikuese te palët.

Problemi nuk qëndron vetëm në mungesën e vullnetit politik në Prishtinë apo Beograd. Ai lidhet edhe me vetë modelin e ndërmjetësimit evropian. Për vite me radhë, BE-ja ka investuar më shumë në vazhdimësinë e procesit sesa në matjen e rezultateve të tij. Mbajtja e palëve në tavolinë është trajtuar shpesh si sukses në vetvete. Si rezultat, procesi ka prodhuar një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh, por një hendek gjithnjë e më të dukshëm ndërmjet asaj që është dakorduar dhe asaj që është zbatuar.

Analistët dhe gazetarët kosovarë e shohin këtë qasje të BE-së si një strategji diplomacie defensive. Sipas shumë opinionistëve në Prishtinë, Brukseli ka zgjedhur të mbajë një qasje asimetrike, ku procesi më shumë merret me “fshirjen e zjarreve” në veriun e Kosovës se sa me zgjidhjen e nyjës politike. Gazetarët kosovarë theksojnë se vendosja e masave shtrënguese ndaj Kosovës, ndërkohë që ndaj Serbisë mungon një trysni e ngjashme pas ngjarjeve në Banjskë, e ka dëmtuar besueshmërinë e BE-së si ndërmjetës i paanshëm, duke e bërë procesin të pa dobi direkte për palët.

Nga ana tjetër, vëzhguesit dhe gazetarët në Serbi vlerësojnë se kjo status quo e re i konvenon në masë të madhe pushtetit në Beograd. Analistët serbë theksojnë se për Beogradin zyrtar, ngrirja e procesit dhe përqendrimi eksklusiv në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe shërben si një mjet për të shtyrë vendimmarrjen e vështirë për statusin e Kosovës. Gazetarët e mediave të pavarura në Serbi vërejnë se Brukseli toleron diplomacinë e dyfishtë të Beogradit për shkak të interesave gjeopolitike dhe ruajtjes së stabilitetit rajonal, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Kjo status quo e re tregon se dialogut i mungon një vizion i qartë përfundimtar. Përderisa BE-ja do të vazhdojë ta përdorë dialogun si një mjet për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në terren në vend të zgjidhjes përfundimtare, Kosova dhe Serbia do të mbesin të bllokuara në një proces burokratik pa afat, ku integrimi evropian mbetet më shumë një premtim i largët se sa një realitet i afërt.

Nga normalizimi te menaxhimi i krizës

Dialogu Kosovë–Serbi filloi me një logjikë pragmatike: çështjet teknike do të zgjidheshin gradualisht, bashkëpunimi do të krijonte besim dhe, me kalimin e kohës, procesi do të kalonte drejt normalizimit politik. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ishte momenti kur kjo logjikë dukej se po prodhonte rezultate konkrete.

Por me kalimin e viteve ndodhi e kundërta. Çështjet teknike u politizuan, marrëveshjet u interpretuan në mënyrë kundërshtuese dhe zbatimi u bë selektiv. Dialogu filloi gjithnjë e më shumë të aktivizohej pas krizave: barrikadave, tensioneve në veri, çështjes së targave, tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, zgjedhjeve lokale apo incidenteve të sigurisë.

Kështu ndryshoi edhe funksioni real i ndërmjetësimit. Në vend që dialogu të prodhonte normalizim dhe normalizimi të zvogëlonte krizat, krizat filluan të prodhonin dialog.

Marrëveshja e vitit 2023: kulmi diplomatik pa transformim politik

Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit e 27 shkurtit 2023 dhe Aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhej të përfaqësonin kthesën më të rëndësishme të procesit që nga viti 2013. Për herë të parë u formulua një kornizë që përmbante elemente shumë më substanciale të normalizimit: respektimin e parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial, njohjen e dokumenteve dhe simboleve, moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, vetëmenaxhimin e komunitetit serb dhe krijimin e mekanizmave të monitorimit.

Aneksi i Ohrit shkoi edhe më tej: parashikoi që obligimet të bëheshin pjesë e rrugës evropiane të të dyja palëve dhe që mosrespektimi i tyre të mund të kishte pasoja për integrimin evropian dhe mbështetjen financiare. Në letër, pra, BE-ja krijoi një mekanizëm të kushtëzimit.

Në praktikë, problemi u zhvendos nga mungesa e marrëveshjes te mungesa e zbatimit.

Kjo është ndoshta pika më domethënëse e gjithë procesit. Kosova dhe Serbia nuk vuajnë më nga mungesa e dokumenteve politike. Ato vuajnë nga mungesa e një mekanizmi të besueshëm që e bën moszbatimin më të kushtueshëm se zbatimin.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025 thotë se marrëveshja është e vlefshme dhe juridikisht detyruese për palët, pavarësisht çështjeve të formalizimit. Por BE-ja konstaton se zbatimi mbetet problematik.

Në raport me Kosovën, BE-ja vazhdon të kërkojë fillimin e procesit për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e detyrimeve që burojnë nga neni 7.

Në raport me Serbinë, Komisioni Evropian ka konstatuar se Serbia ka ndërmarrë veprime në kundërshtim me Marrëveshjen, përfshirë lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. BE-ja kërkon që Serbia të fillojë zbatimin e detyrimeve të saj, përfshirë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Neni 6 Belgrade-Pristina Dialogue: Agreement on the path to normalisation between Kosovo and Serbia dhe Aneksi i Ohrit merr rëndësi të veçantë. Edhe sikur Marrëveshja Bruksel–Ohër të zbatohej plotësisht, ajo nuk është fundi i procesit. Teksti parashikon vazhdimin e dialogut drejt një marrëveshjeje juridikisht të detyrueshme për normalizim gjithëpërfshirës. Pikërisht këtu mund të identifikohet një nga burimet kryesore të status quo-së së re në dialogun Kosovë–Serbi. Neni 6 nuk përcakton një afat konkret për arritjen e marrëveshjes juridikisht të detyrueshme, duke e lënë procesin të hapur në kohë dhe pa një pikë të qartë përfundimtare. Në këtë mënyrë, dialogu rrezikon të shndërrohet nga një instrument për arritjen e normalizimit në një mekanizëm për administrimin e status quo-së, ku vazhdimi i negociatave zëvendëson përfundimin e tyre.

Asimetria e presionit dhe problemi i kredibilitetit

Një nga kritikat më të rëndësishme që mund t’i bëhet qasjes evropiane lidhet me perceptimin e asimetrisë së presionit. Kosova është përballur shpesh me kërkesa të drejtpërdrejta dhe të matshme: deeskalim në veri, zgjedhje të reja, hapa drejt Asociacionit dhe koordinim më të madh me partnerët ndërkombëtarë.

Deeskalimi në veri të Kosovës është shndërruar në një nga pikat më problematike të raportit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Nga këndvështrimi i institucioneve të Kosovës, veprimet policore në veri janë arsyetuar me nevojën për shtrirjen e rendit dhe ligjit, luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, hetimin e sulmit të Banjskës dhe mbylljen e strukturave ilegale. Madje edhe Komisioni Evropian ka konstatuar se Policia e Kosovës ka intensifikuar luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri. Në anën tjetër, BE-ja ka insistuar vazhdimisht në deeskalim, koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe shmangie të veprimeve të njëanshme që, sipas saj, mund të rrisin tensionet, duke e lidhur madje heqjen graduale të masave ndaj Kosovës me deeskalimin e qëndrueshëm në veri. Këtu krijohet një paradoks politik: Kosova e interpreton konsolidimin e autoritetit institucional dhe ndjekjen e grupeve kriminale si ushtrim të sovranitetit dhe sundimit të ligjit, ndërsa BE-ja, pa e mohuar domosdoshmërinë e sundimit të ligjit, kërkon që mënyra, koha dhe modalitetet e këtyre veprimeve të mos prodhojnë tensione të reja. Situata bëhet edhe më komplekse nga fakti se vetë BE-ja vazhdon t’i kërkojë Serbisë arrestimin dhe ndjekjen penale të autorëve të sulmeve të vitit 2023 në veri, duke vlerësuar se veprimet e Beogradit në këtë drejtim kanë qenë të pamjaftueshme. Kështu, “deeskalimi” rrezikon të mbetet një formulë e administrimit të krizës, nëse nuk shoqërohet njëkohësisht me sundim efektiv të ligjit, përgjegjësi penale për dhunën dhe eliminimin e strukturave që cenojnë sigurinë, duke e mbajtur veriun në një gjendje të ndërmjetme ndërmjet stabilitetit të përkohshëm dhe normalizimit të plotë institucional.

Ndërkohë, obligimet e Serbisë kanë qenë në disa raste më të vështira për t’u operacionalizuar politikisht dhe për t’u sanksionuar në praktikë.

Kjo nuk do të thotë se Kosova nuk ka obligime. Përkundrazi, kredibiliteti ndërkombëtar i Kosovës kërkon zbatimin e marrëveshjeve të marra përsipër, në përputhje me Kushtetutën dhe rendin e saj juridik. Por një proces normalizimi nuk mund të funksionojë nëse kushtëzimi perceptohet si selektiv.

Normalizimi kërkon reciprocitet të përgjegjësisë, jo vetëm reciprocitet të obligimeve në dokumente.

Banjska dhe kufijtë e modelit të Brukselit

Sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë duhet të kishte shënuar një pikë kthese në mënyrën se si BE-ja e konceptonte dialogun. Një proces që për vite ishte trajtuar kryesisht përmes diplomacisë së normalizimit u përball papritur me dimensionin e sigurisë në formën më serioze.

Ngjarja tregoi se mosnormalizimi nuk është thjesht problem diplomatik. Ai mund të prodhojë pasoja konkrete të sigurisë.

Pikërisht këtu bëhet i dukshëm kufiri i modelit evropian: dialogu nuk mund të jetë zëvendësim për përgjegjësinë. Kur çdo krizë përfundon me thirrjen që “palët të kthehen në dialog”, ekziston rreziku që dallimi ndërmjet mosmarrëveshjes politike, veprimit unilateral dhe incidentit serioz të sigurisë të relativizohet brenda së njëjtës formulë diplomatike.

Nga status quo-ja e vjetër te status quo-ja e re. Çfarë theksojnë analistët?

Para dialogut, status quo-ja karakterizohej nga mungesa e komunikimit institucional dhe nga një konflikt politik pothuajse i ngrirë. Status quo-ja e re është më komplekse. Sot ekzistojnë takime, ndërmjetësues, marrëveshje, anekse, komitete monitoruese, deklarata dhe mekanizma evropianë. Megjithatë, çështjet themelore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Pra, stagnimi nuk nënkupton mungesë aktiviteti. Përkundrazi, kemi aktivitet diplomatik pa transformim politik. Ky është ndoshta suksesi më paradoksal i modelit aktual: është krijuar një proces mjaftueshëm funksional për të parandaluar shkëputjen totale, por jo mjaftueshëm i fuqishëm për të imponuar normalizimin.

Augustin Palokaj, një prej gazetarëve kosovarë që e ka përcjellë dialogun nga Brukseli për më shumë se një dekadë, e ka përshkruar këtë fenomen përmes nocionit të “ambiguitetit destruktiv”.

Në diplomaci, ambiguiteti mund të jetë konstruktiv kur u lejon palëve të bëjnë kompromis pa u ekspozuar menjëherë ndaj kostove të brendshme politike. Por ai bëhet destruktiv kur palët mund ta interpretojnë të njëjtën marrëveshje në mënyra diametralisht të kundërta.

Pikërisht kjo ndodhi me dialogun.

Për Kosovën, procesi duhej të ishte dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Për Serbinë, ai vazhdoi të zhvillohej pa pranuar premisën themelore të shtetësisë së Kosovës. Ndërsa BE-ja, për shkak edhe të pesë vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën, zgjodhi të mos e zgjidhte këtë kontradiktë, por ta administronte atë.

Palokaj ka argumentuar se kjo paqartësi e ka dëmtuar vetë dialogun. Më vonë ai e ka çuar kritikën edhe më tej, duke ngritur pyetjen nëse BE-ja, në praktikë, nuk është bërë më e interesuar për ruajtjen e status quo-së sesa për normalizimin e plotë.

Kjo është pikërisht dilema qendrore e procesit: kur ndërmjetësuesi investon më shumë në mbijetesën e dialogut sesa në rezultatin e tij, procesi fillon të bëhet qëllim në vetvete.

Nëse Palokaj e identifikon problemin te modeli i ndërmjetësimit, Lulzim Peci e vendos çështjen në një dimension tjetër: te kostoja strategjike që vazhdimi i status quo-së ka për Kosovën.

Peci ka argumentuar se normalizimi me Serbinë mbetet një prej sfidave kryesore të Kosovës, sepse lidhet drejtpërdrejt me perspektivën e saj evropiane dhe euroatlantike. Në vitin 2024 ai e konsideronte Marrëveshjen Bazë dhe dialogun e nivelit të lartë praktikisht të bllokuar. Ky vlerësim nxjerr në pah një element që shpesh humbet në debatet e përditshme politike:

Status quo-ja nuk është neutrale për Kosovën.

Çdo vit i humbur në një proces pa rezultat është vit në të cilin raporti me Serbinë vazhdon të jetë faktor kufizues për politikën e jashtme, integrimin ndërkombëtar dhe konsolidimin e plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Prandaj, stagnimi ka kosto. Dhe kjo kosto nuk ndahet domosdoshmërisht në mënyrë të barabartë ndërmjet dy palëve.

Një dimension tjetër të problemit e sjell profesori Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Hasani e ka trajtuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit jo vetëm si dokumente politike, por si akte me pasoja juridike. Sipas interpretimit të tij, mungesa e nënshkrimit formal nuk e eliminon domosdoshmërisht peshën juridike të marrëveshjes. Ai ka veçuar praninë e BE-së dhe ekzistencën e një pike të qartë referimi e monitorimi si elemente që e dallojnë Ohërin nga marrëveshjet e mëparshme.

Por kritika e Hasanit shkon shumë më larg.

Ai e sheh konceptin e “vetëmenaxhimit” për komunitetin serb si potencialisht shumë më substancial sesa një mekanizëm i zakonshëm bashkëpunimi ndërkomunal. Në interpretimin e tij, modeli mund të prodhojë pasoja të thella për organizimin kushtetues të Kosovës dhe të krijojë marrëdhënie të reja pushteti brenda sistemit.

Mund të pajtohemi ose jo me interpretimin maksimalist të Hasanit, por ai ngre një pyetje që nuk mund të anashkalohet:

A mund të trajtohet dialogu thjesht si proces i politikës së jashtme kur rezultatet e tij mund të ndryshojnë arkitekturën e brendshme institucionale të Kosovës?

Palokaj, Peci dhe Hasani nuk e shohin procesin nga e njëjta perspektivë dhe as nuk arrijnë domosdoshmërisht në të njëjtat përfundime. Pikërisht kjo e bën krahasimin e tyre të vlefshëm.

Palokaj identifikon problemin e ndërmjetësimit: paqartësinë, mungesën e objektivit final dhe dialogun që rrezikon të bëhet qëllim në vetvete.

Peci identifikon koston strategjike të stagnimit: një Kosovë që nuk e zgjidh raportin me Serbinë mbetet e kufizuar në avancimin e saj ndërkombëtar dhe euroatlantik.

Hasani identifikon koston juridike dhe kushtetuese: marrëveshjet e dialogut mund të prodhojnë pasoja afatgjata për organizimin e brendshëm të shtetit dhe nuk mund të trajtohen thjesht si kompromise të përkohshme diplomatike.

Të tri perspektivat takohen në një pikë: status quo-ja nuk është mungesë politike. Ajo është vetë një rezultat politik.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi i modelit aktual të BE-së. Pas më shumë se një dekade, Brukseli nuk mund ta masë suksesin me numrin e takimeve, deklaratave apo marrëveshjeve të prodhuara. Pyetja e vetme relevante është nëse marrëdhëniet Kosovë–Serbi janë sot më afër normalizimit përfundimtar sesa ishin kur procesi filloi.

Për Serbinë, pjesa më e madhe e obligimeve të Marrëveshjes së vitit 2023 lidhet me mënyrën se si ajo sillet ndaj Kosovës në planin bilateral dhe ndërkombëtar.

Për Kosovën, neni 7 mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta në organizimin e saj të brendshëm institucional.

Prandaj, zbatimi nuk mund të reduktohet në formulën “Kosova duhet ta themelojë Asociacionin”. Çështja është juridikisht dhe kushtetutshmërisht shumë më komplekse.

Dialogu si instrument i integrimit evropian – por ku është shpërblimi?

Ideja fillestare e BE-së ishte relativisht e qartë: sa më shumë që Kosova dhe Serbia normalizojnë marrëdhëniet, aq më shumë avancojnë drejt Bashkimit Evropian. Ky mekanizëm funksionon vetëm nëse perspektiva evropiane është njëkohësisht e besueshme, e prekshme dhe e kushtëzuar.

Kur shpërblimi duket shumë i largët, ndërsa kostoja politike e kompromisit është e menjëhershme, qeveritë kanë më pak motiv për të marrë vendime të vështira. Në këtë kuptim, stagnimi i dialogut është edhe reflektim i dobësimit të fuqisë transformuese të vetë procesit të zgjerimit.

BE-ja nuk mund të kërkojë kompromise historike duke ofruar vetëm perspektiva të pacaktuara.

Çfarë duhet të ndryshojë?

Dalja nga arkitektura e stagnimit kërkon ndryshim të logjikës së procesit. BE-ja duhet të kalojë nga ndërmjetësimi procedural te kushtëzimi i zbatimit.

Obligimet e secilës palë duhet të ndahen qartë, të kenë afate, indikatorë dhe pasoja konkrete për moszbatim. Përparimi evropian dhe përfitimet financiare duhet të lidhen me rezultate të matshme dhe jo vetëm me pjesëmarrjen në takime.

Në të njëjtën kohë, dialogu duhet të rikthehet te objektivi përfundimtar. Nuk mjafton normalizimi i përkohshëm i situatës në veri. Nuk mjafton menaxhimi i krizës së radhës. Nuk mjafton as një marrëveshje e re nëse ajo i shtohet arkivit të marrëveshjeve të pazbatuara.

Pyetja duhet të jetë shumë më e thjeshtë: çfarë marrëdhënieje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë synon të prodhojë ky proces? Procesi duhet të përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes Finale të Ligjshme dhe të Detyrueshme për të dy shtete me njohje reciproke. Nga kjo perspektivë, një marrëveshje që nuk e zgjidh çështjen e njohjes reciproke do ta linte të hapur burimin kryesor të mosmarrëveshjes dhe do të vazhdonte ta prodhonte të njëjtën pasiguri politike. Prandaj, njohja reciproke duhet të jetë destinacioni politik i dialogut, jo vazhdimi i pakufizuar i vetë dialogut.

Përfundim: kur procesi bëhet qëllim në vetvete

Pas më shumë se një dekade, problemi themelor i dialogut Kosovë–Serbi nuk është mungesa e diplomacisë. Diplomaci ka pasur me bollëk. Problemi është se procesi gradualisht është institucionalizuar pa prodhuar transformimin politik për të cilin u krijua.

BE-ja ka arritur të ndërtojë një arkitekturë që menaxhon mosmarrëveshjen, amortizon krizat dhe i rikthen palët në tavolinë. Por pikërisht kjo arkitekturë rrezikon të bëhet pjesë e problemit: kur menaxhimi i status quo-së funksionon mjaftueshëm mirë, presioni për ta ndryshuar atë zvogëlohet.

Prandaj, sfida e ardhshme e Brukselit nuk është organizimi i një takimi tjetër ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Është rikthimi i kostos politike të stagnimit.

Sepse dialogu që nuk e ndryshon realitetin, por vetëm e administron atë, nuk është më instrument i normalizimit.

Është arkitektura e status quo-së së re.

Orhan Çeku. Associate professor for the subject of National Security at the public Haxhi Zeka University in the Republic of Kosovo

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës