Mbrëmjen e së martës, më 26 mars, presidenti serb, Aleksandar Vuçiçi paralajmëroi se Serbinë dhe Republikën Srpska i presin ditë të vështira.
“Ditë të vështira e presin Serbinë përpara.
Në këtë çast nuk është e lehtë të thuhet se ç’lloj lajmesh kemi marrë në 48 orët e fundit… kërcënojnë drejtpërdrejt interesat jetike kombëtare të Serbisë dhe (Republikës) Srpska.
Gjatë ditëve në vijim do të informoj qytetarët e Serbisë për të gjitha sfidat që i presin. Do të jetë e vështirë, më shumë nga ç’ka qenë deri më sot. Ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Intriga zgjati deri të premten. Gjatë gjithë kësaj kohe, politikanët dhe ekspertët po paraqitnin hamendjet e tyre për sa u përket kërcënimeve të mundshme për të cilat shkroi presidenti serb.
Vonë, mbrëmjen e së premtes, më 29 mars, Vuçiçi mbajti një fjalim duke shpjeguar se ç’kishte dashur të thoshte kur kishte paralajmëruar duke u shprehur se Serbinë e prisnin kohë të vështira.
Kosova në rrugën drejt Këshillit të Evropës
Në fjalimin e tij më 29 mars, presidenti i Serbisë e konsideroi si sfidën e parë procesin e fillimit të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).
Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i KiE-s miratoi opinionin e raportueses për çështjen e Kosovës, Dora Bakojanisit, e cila rekomandoi miratimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE më 27 mars. Pritet që vendimi përfundimtar për këtë çështje të merret gjatë muajit maj.
Ishte e parashikueshme që lidershipi i Serbisë do të indinjohej, në radhë të parë nga fakti që KiE faktikisht po u shton radhëve të veta një vend pjesërisht të njohur, një “territor”. Gjithsesi, pakënaqësitë më të mëdha në fjalimin e Vuçiçit u shkaktuan nga fakti së Këshilli i Evropës nuk u kushtoi vëmendje ankesave të shumta të palës serbe për shkeljen e të drejtave të serbëve në Kosovë. Presidenti serb e shtjelloi me detaje se pse Prishtina nuk e meriton anëtarësimin në KiE, duke e ilustruar tregimin e tij me shembuj të diskriminimit dhe represionit të serbëve në Kosovë.
Një gabim tjetër të KE-së, Beogradi konsideron faktin se gjatë shqyrtimit të aplikimit të Kosovës nuk merret parasysh mospërmbushja e detyrimeve të Prishtinës nga marrëveshjet e arritura më parë (të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian). Në radhë të parë bëhet fjalë për moskrijimin nga autoritetet e Kosovës të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ZSO). Edhe pse më herët BE-ja dhe SHBA-ja kanë deklaruar nevojën për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në kuadër të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ZSO-ja nuk përmendet. Kushti i vetëm që Prishtina duhej të përmbushte para se të fillonte procedura e anëtarësimit në KiE ishte kthimi i tokës së Manastirit të Deçanit (Kisha Ortodokse Serbe), dhe kjo u përmbush.
Një indinjatë të madhe te presidenti i Serbisë, si dhe në komunitetin politik serb, shkaktoi ndryshimi i qëndrimit të Greqisë ndaj çështjes së Kosovës. Në fjalimin e tij, Vuçiçi kritikoi ashpër qëndrimin e raportueses për Kosovën, Dora Bakojanisit, përfaqësuese nga Greqia në Komitetin e Këshillit të Evropës, e cila propozoi që të zgjidhet pozitivisht çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE pa parakusht shtesë.
Beogradi ka shpresuar gjithmonë në mbështetjen e Athinës në promovimin e vizionit të tij për çështjen e Kosovës, pasi Greqia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe për shkak të lidhjeve të vjetra serbo-greke në nivel historik, kulturor dhe fetar. Prandaj, qëndrimi i delegates greke në KiE po perceptohet nga autoritetet serbe me shumë emocione.
Në fjalimet e fundit, presidenti i Serbisë nuk ka dashur të thotë asgjë për hapat e mundshëm në përgjigje ndaj anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në KiE, duke theksuar se reagimi do të jetë i fortë dhe i përgjegjshëm. “Ne do të vazhdojmë të diskutojmë, jam i gatshëm të dëgjoj mendimin e Skupstina-s (parlamentit) dhe të qeverisë. Do të përgatitemi dhe do të presim”, u shpreh Vuçiçi.
Është e qartë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës shkakton indinjatë dhe emocione negative në Serbi, edhe sepse ai, në të vërtetë, sinjalizon fillimin e një faze të re të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, për lidershipin serb është parimisht e rëndësishme që të parandalojë pranimin përfundimtar të Prishtinës në KiE, dhe nëse kjo ndodh, të bëjë gjithçka që ky hap të mos çojë në një efekt “domino”. Prandaj, deklarata e Vuçiçit për një “reagim të fortë” nuk mund të perceptohet vetëm si fjalë.
Megjithatë, bie në sy se në fjalimet e tij të fundit, presidenti serb vendosi të mos pedalojë temën e tërheqjes së mundshme të Serbisë nga Këshilli i Evropës. Ndoshta për shkak të mungesës së bindjes se ky hap do të gjejë mbështetjen e shoqërisë. Sidoqoftë, me afrimin e datës së vendimit përfundimtar në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në KiE, kjo temë mund të riaktivizohet. Me mbështetjen e propagandës shtetërore, është e mundur të arrihet që një hap i tillë të popullarizohet në mesin e qytetarëve serbë.
Nuk përjashtohen edhe demarshe të tjera, që hëpërhë parapëlqejnë të mos i bëjnë publike në Beograd.
Rezoluta për gjenocidin dhe pasojat e saj
Sfida e dytë me të cilën po përballen aktualisht serbët, sipas presidentit serb, është miratimi i planifikuar në prill, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (UNGA) të rezolutës që njeh vrasjen masive të boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995 si gjenocid.
Siç njihet, në vitin 2015, një vendim i ngjashëm nuk u mbështet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të vetos së vendosur nga Rusia. Tani shqyrtimi i rezolutës është iniciuar me sugjerimin e Gjermanisë (dhe, formalisht, të Ruandës), megjithatë, Vuçiçi akuzon për inicimin e kësaj çështjeje Perëndimin, që mbështetet nga vendet myslimane. “Vendet Perëndimore duan të na vënë në pozitë të vështirë, – theksoi ai. – Kundër nesh do të jetë Perëndimi kolektiv, plus një numër i konsiderueshëm i vendeve myslimane.”
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk do të jetë e detyrueshme, por presidenti serb nuk përjashton që pas njohjes së ngjarjeve në Srebrenicë si gjenocid, do të vendosë në pikëpyetje legjitimitetin e ekzistencës së Republikës Srpska si një entitet gjoja i formuar në bazë të gjenocidit. Përveç kësaj, ai shprehet se, “në bazë të vetëm një vendimi jo të detyrueshëm, Republikës Srpska do t’i kërkohet gjithashtu të paguajë dëmshpërblime të luftës”.
Megjithatë, lind pyetja se nga kanë ardhur parashikime të tilla kërcënuese.
Pikësëpari, miratimi i mundshëm i Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk sjell pasoja juridike (vetë Vuçiçi e thotë këtë).
Së dyti, gjenocidi në Srebrenicë ËSHTË tashmë i njohur në nivel ndërkombëtar. Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së në Hagë, e njohu vrasjen e 8 000 myslimanëve boshnjakë në qytetin e Srebrenicës të vitit 1995 si gjenocid. Nuk është e qartë se pse pas miratimit të një dokumenti jodetyrues në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, papritur gjithçka duhet të ndryshojë.
Është domethënëse që, përveç Vuçiçit, rreth rezolutës së mundshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së i hedhin benzinë zjarrit edhe politikanët më prorusë të rajonit: Milorad Dodiku, Aleksandar Vulini, si dhe mediet propagandistike ruse.
Megjithatë, kushdo qoftë autori i skenarëve alarmantë dhe në cilëndo dëshmi të bazohen ata, çështja kryesore për momentin është se lidershipi i Serbisë beson në to dhe do të veprojë në bazë të parashikimeve të tilla.
Reagimi i Beogradit
Sidoqoftë, çfarë planifikon të bëjë saktësisht qeveria serbe në lidhje me ditët e vështira që po vijnë?
Siç u përmend më lart, në fjalimin e tij, Vuçiçi nuk foli për hapat konkretë që do të ndërmerren në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, as u ndal në faktin se cila do të jetë konkretisht përgjigja e Serbisë ndaj miratimit të rezolutës për Srebrenicën apo veprime të mëtejshme të mundshme në lidhje me Republikën Srpska.
Megjithatë, në vija të përgjithshme, ose me aludime, Vuçiçi qartësoi disa nga planet e tij për të ardhmen e afërt.
Në arenën e politikës së jashtme, Serbia do të përpiqet të bindë partnerët e saj Perëndimorë, por në të njëjtën kohë do të kërkojë mbështetje jashtë “Perëndimit kolektiv”.
Gjatë fjalimit të tij më 29 mars, Vuçiçi njoftoi një vizitë në Francë me ftesë të Emanuel Makronit. “Kam marrë një ftesë zyrtare nga presidenti i Francës, Makroni. Kjo vizitë do të jetë shumë e rëndësishme për Serbinë. Do t’i kërkoj atij që të merren parasysh normat juridike ndërkombëtare, veçanërisht detyrimi për të krijuar Asociacionin e Komunave Serbe”, u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, gjatë fjalimit presidencial, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të qeverisë serbe, u bë publik informacioni zyrtar se Vuçiçi kishte marrë ftesë për të marrë pjesë në samitin e BRICS-it (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), si i ftuar special. Është e qartë se koha dhe vendi i njoftimit të kësaj ftese nuk janë të rastësishme. Njoftimi, në të vërtetë, është bërë si paralajmërim për Perëndimin, se Serbia do të përpiqet të gjejë miq jashtë Evropës, nëse partnerët e saj evropianë do t’i kthejnë shpinën (të pranojnë Kosovën në KiE, të përmendin gjenocidin në Srebrenicë…)
Na presin përsëri betejat (“Opet smo pred bitkama”)
Gjithashtu, do të ndryshojë edhe politika e brendshme e vendit.
Deklaratat e fundit të Vuçiçit demonstrojnë se lideri serb po përpiqet të mbledhë shoqërinë (rreth vetes) përballë kërcënimeve që po afrojnë. Kjo mund të nënkuptojë se do të ketë më shumë autoritarizëm në vend dhe më pak demokraci.
Një shenjë tjetër ndryshimi është militarizimi i Serbisë. Kohët e fundit, Vuçiçi ka vizituar rregullisht dhe shumë shpesh stërvitjet ushtarake, ekspozitat e armëve, fabrikat e mbrojtjes dhe institutet kërkimore-shkencore, ka mbajtur takime me forcat e armatosura, duke folur vazhdimisht për nevojën e forcimit të aftësive mbrojtëse të Serbisë. Ky kurs do të fiksohet përfundimisht pas emërimit të qeverisë së re: presidenti serb ka propozuar për postin e kryeministrit zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviçin. Vuçeviçi do të zëvendësojë Ana Brnabiçin në postin e kryeministrit, që dikur u emërua për të demonstruar liberalizmin e Serbisë dhe fokusimin e vendit në zhvillimin ekonomik. Emërimi i Vuçeviçit duhet të tregojë, ndoshta, se tashmë Beogradi do të ketë përparësi të tjera: mbrojtjen e interesave kombëtarë, në radhë të parë forcimin e mbrojtjes kombëtare, zhvillimin e kompleksit ushtarako-industrial, forcimin e ushtrisë…
“Ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”, këto fjalë nga postimi i Vuçiçit në “Facebook” më 26 mars mund të konsiderohen si program i shkurtër i veprimeve të qeverisë aktuale serbe, në veçanti të qeverisë së re.
Vetëm koha do të tregojë se çfarë ka dashur të thotë saktësisht lideri serb kur ka përdorur fjalët “luftë” dhe “fitore” dhe nëse këto deklarata thënë nga ai nuk janë pararojë e ditëve të vështira për mbarë rajonin.