- Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës
Më 27 mars, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratoi konkluzionin pozitiv të raportueses për çështjen e Kosovës, përfaqësueses së Greqisë, Dora Bakojanisit, e cila rekomandoi miratimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në prill të këtij viti pritet të kryhet votimi, gjatë seancës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Pas votimit të suksesshëm, konkluzioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili duhet të votojë anëtarësimin e Kosovës në mbledhjen e radhës ministrore që do të mbahet në maj të këtij viti.
Për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës votuan 31 anëtarë të komisionit politik, katër kundër dhe një përfaqësues i Greqisë abstenoi.
Kundër ishin dy përfaqësues të Serbisë, një i Bosnje-Hercegovinës dhe një i Malit të Zi.
Pavarësisht se Mali i Zi e njohu Kosovën, kryetarja e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Maja Vukiçeviçi (anëtare e Partisë Popullore Demokratike pro-Serbe), votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndryshe nga kjo, ministrja malazeze për Çështje Evropiane, Maida Horçeviçi, gjatë vizitës së saj në Prishtinë u shpreh se Mali i Zi do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës kur Këshilli i Ministrave të votojë për këtë vendim.
“Reagimi i Serbisë për pranimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë i fortë dhe i përgjegjshëm”, paralajmëroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiçi, duke theksuar se ende nuk dëshiron të tregojë saktësisht se çfarë veprimesh do të ndërmarrë Beogradi. Më parë, lidershipi serb nuk e përjashtonte tërheqjen e Serbisë nga Këshilli i Evropës, nëse Kosova do t’i bashkohej kësaj organizate.
Ndërlikime të tjera për politikën e jashtme për Serbinë do të sjellë edhe përkeqësimi i parashikuar i marrëdhënieve me Greqinë për shkak të qëndrimit të raportueses greke për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Për Malin e Zi ekziston një rrezik tjetër: qëndrimet krejt të kundërta për Kosovën brenda koalicionit malazez në pushtet mund të çojnë në mosmarrëveshje të brendshme politike dhe në një krizë qeveritare në Mal të Zi.
- Serbinë e presin ditë të vështira
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçi, paralajmëroi se Serbia dhe Republika Srpska po përballen me ditë të vështira, fillimisht duke publikuar një postim të posaçëm në rrjetet sociale dhe më vonë duke mbajtur një fjalim.
Në mbrëmjen e 29 marsit, në fjalimin e tij, ai e konsideroi si sfidën e parë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa të dytën, miratimin e planifikuar në prill, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të një rezolute që njeh si gjenocid vrasjen masive të boshnjakëve në Srebrenicë, në vitin 1995.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk do të ketë fuqi detyruese, por Vuçiçi nuk e përjashton që, pas njohjes së ngjarjeve në Srebrenicë si gjenocid, të vihet në pikëpyetje e drejta për ekzistencë e Republikës Srpska si entitet i formuar në bazë të gjenocidit. Përveç kësaj, sipas mendimit të tij, “në bazë të vetëm një vendimi jodetyrues, do të kërkohet gjithashtu nga Republika Srpska që ajo të paguajë dëmshpërblime të luftës”.
Konfirmime të dokumentuara të këtyre planeve aktualisht nuk ka, gjë që nuk i pengon politikanët serbë dhe mediet ruse të bëjnë deklarata alarmante për pasojat e ardhshme të miratimit të rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Serbinë, Republikën Srpska dhe për serbët në përgjithësi.
- Republika Srpska vendosi një ultimatum rreth ndryshimeve në ligjin zgjedhor
Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë, Kristian Shmidti, bëri ndryshime teknike në Ligjin për Zgjedhjet. Ndryshimet kanë lidhje me vendosjen e skanerëve dhe videove mbikëqyrëse në qendrat e votimit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë-Hercegovinës i është dhënë autoriteti për të emëruar krerët e komisioneve zgjedhore.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu ndalimin e kandidimit për poste për personat e dënuar për krime lufte.
***
Si përgjigje, Skupshina (Asambleja) Kombëtare e Republikës Srpska miratoi Rezolutën ku kërkon që, brenda shtatë ditëve të anulohen të gjitha vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të Komunitetit Ndërkombëtar, Kristian Shmidtit, të cilin dokumenti e përshkruante si një përfaqësues “i cili në mënyrë të padrejtë e prezanton veten si Përfaqësues të Lartë”.
Nëse kjo nuk do të zbatohet, Skupshina Popullore e Republikës Srpska kërkon që, sa më shpejt të jetë e mundur, të mbahet një seancë parlamentare (Asambleja Parlamentare) e Bosnje-Hercegovinës dhe të shpallen të paligjshme dhe të pavlefshme të gjitha vendimet e Kristian Shmidtit. Po ashtu, të ndalohen autoritetet e Bosnje-Hercegovinës që t’i vënë në zbatim këto vendime. Përveç kësaj, në të njëjtën seancë të Asamblesë Parlamentare të BiH-ës, Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska kërkon miratimin e Ligjit për Zgjedhjet e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Nëse Rezoluta e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska nuk do të zbatohet, Republika Srpska do të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet e nivelit të BiH-ës (përfshirë nga marrëveshjet për ushtrinë dhe taksat), dhe Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska do të miratojë ligjin e vet për zgjedhjet e Republikës Srpska.
Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, në të vërtetë, është një hap i radhës i autoriteteve të Republikës Srpska në drejtim të shkëputjes nga Bosnja dhe Hercegovina dhe dëshmon për vazhdimin e përkeqësimit të situatës në Bosnje dhe Hercegovinë.
- Kosova dhe Mali i Zi do të zhvillojnë bashkëpunimin ndërkufitar
Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Ndërkufitar për periudhën 2021-2027. Dokumentin e nënshkruan zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, Maida Horçeviçi.
Qëllimi i programit është promovimi i fqinjësisë së mirë, integrimit në BE, si dhe zhvillimi social dhe ekonomik i territoreve ndërkufitare.
Sipas Bislimit, dokumenti i nënshkruar mundëson marrjen e mbështetjes nga Bashkimi Evropian për projekte në kategorinë “bashkëpunimi ndërkufitar” në vlerën prej 8.4 milionë eurosh.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë thuajse menjëherë pas votimit në komisionin politik të APKE-së për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në këtë mënyrë, përveç qëllimit të drejtpërdrejtë, dokumenti duhej të neutralizonte negativitetin nga vota e përfaqësuesit malazez kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe të parandalonte përkeqësimin e marrëdhënieve Prishtinë – Podgoricë.
- Në Serbi, avionët luftarakë u ngritën me alarm për të parandaluar një objekt të panjohur fluturues.
Më 31 mars, në orën 10:39, “forcat operative të përhershme, vendosur për të kontrolluar dhe mbrojtur sovranitetin e hapësirës ajrore të Republikës së Serbisë, zbuluan një objekt të panjohur fluturues mbi Valjevë, në një lartësi prej 5500 metrash. Për ta parandaluar atë janë vënë në shërbim dy avionë luftarakë MiG-29”, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Serbisë. Në një çast të caktuar, objektivi është zhdukur nga ekranet e radarëve. “Pas vëzhgimit të zonës, dy avionë luftarakë në shërbim u urdhëruan të ktheheshin në aeroportin bazë, ndërsa pjesa tjetër e forcave vazhdoi monitorimin dhe mbikëqyrjen e rregullt të hapësirës ajrore”, sqaroi Ministria e Mbrojtjes.
Të nesërmen, presidenti serb, Aleksandar Vuçiçi, gjatë vizitës së tij në aeroportin ushtarak në Batajnicë, njoftoi se objekti fluturues i paidentifikuar rezultoi të ishte një aerostat që u largua shpejt nga zona pas mbledhjes së të dhënave.
Sipas tij, reagimi i ushtrisë serbe ishte adekuat. “Megjithatë, herën tjetër që mund të shfaqet një objekt i panjohur fluturues, duhet të përdoren mjetet përkatëse për ta rrëzuar atë dhe për të përcaktuar se i kujt është”, theksoi Vuçiçi.
Ngjarjet rreth aerostatit mbi Valjevë demonstrojnë një komponent të rëndësishëm të politikës aktuale të brendshme të presidentit Vuçiç, i cili përpiqet ta mbajë shoqërinë në një “gjendje të mobilizuar”. Ai i flet vazhdimisht shoqërisë për kërcënimet ekzistuese dhe i siguron qytetarët në aftësitë e Serbisë për t’iu kundërvënë atyre.
- Presidenti i Maqedonisë së Veriut paralajmëroi për forcimin e ndikimit rus për shkak të frenimit të integrimit evropian
Mbështetja për pranimin në BE midis maqedonasve etnikë po bie në mënyrë drastike për shkak të qëndrimit të Bullgarisë, e cila, në të vërtetë, bllokoi përparimin e vendit fqinj drejt Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, për shkak të frenimit të integrimit evropian në rajon, ndikimi rus po rritet dhe po dëgjohen idetë për bashkëpunimin me BRICS.
Në lidhje me këtë foli presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë ekskluzive për televizionin kroat. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse mbështetja për anëtarësim në BE në radhët e maqedonasve etnikë po bie pas 20 vjetësh të qëndrimit “në dhomën e pritjes”, Pendarovski theksoi: “Po bie në mënyrë drastike dhe ja të dhënat: gjatë dy viteve të fundit, kjo mbështetje është përgjysmuar”. Sipas tij, kjo ndodh për shkak të qëndrimit të Bullgarisë, e cila u shfaq “me një politikë joevropiane, antievropiane” dhe kërkoi që “rrëfimi i tyre historik të pranohet plotësisht nga Maqedonia dhe populli maqedonas”.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut theksoi se maqedonasit shpresonin në mbështetje për anëtarësimin e tyre në BE nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por nuk e kanë marrë atë.
Ai theksoi gjithashtu se vëmendja jo e madhe e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor “hapi gjerësisht derën për ndikimin rus në rajon”. Sipas tij, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, tani në rajon, të ashtuquajturat “proxi rajonalë” po punojnë më aktivisht. “Ka struktura të tëra në rajon që mezi presin që e ashtuquajtura ‘historia evropiane’ të shkojë në arkiv dhe të vijë ndonjë alternativë gjoja ruse. Por jo vetëm ruse, ndoshta kineze”, theksoi presidenti i Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se kohët e fundit, këto struktura kanë folur shumë për BRICS.
Deklarata e Stevo Pendarovskit lidhet me fushatën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Sipas parashikimeve, opozita, e cila gjatë gjithë kohës ka kundërshtuar kompromise që lidhen me identitetin maqedonas për hir të integrimit evropian, ka mundësi që të vijë në pushtet në sfondin e bllokimit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE për shkak të pozicionit të Bullgarisë.