- Bideni paralajmëron rrezikun që i kanoset Ballkanit në rast të ndërprerjes së ndihmave për Ukrainën
Presidenti amerikan, Joseph Biden, paralajmëroi se paqja në Evropë, veçanërisht në Ballkan, mund të prishet nëse Kongresi nuk miraton një vendim për ndihmën ndaj Ukrainës.
“Nëse ne tërhiqemi dhe Rusia i reziston kundërsulmit të tyre dhe mëposhtë Ukrainën, çfarë mendoni se do të ndodhë me vendet e Ballkanit? Çfarë mendoni se do të mbetet nga Polonia dhe Hungaria?”, deklaroi Bideni gjatë një takimi me kryebashkiakët amerikanë më 19 janar.
- Ushtria më e fortë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është ushtria e Serbisë, e cila ka përmirësuar pozicionet e saj dhe tani renditet e 56-ta në shkallen e “Global Firepower”-it.
Lista përmban gjithsej 145 vende.
Dukshëm shumë mbrapa renditet Shqipëria, e cila merr vendin e 90-të.
Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 110-të, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 116-të, Mali i Zi në vendin e 129-të.
Kosova, pjesërisht e njohur, që nuk ka as ushtri, por vetëm forca sigurie, renditet në vendin e 135-të.
Që nga viti 2006, “Global Firepower”-i (GFP) përgatit vlerësime ushtarake të vendeve. Studimi i GFP-së shqyrton potencialin për luftime në tokë, det dhe ajër, duke marrë parasysh më shumë se 60 faktorë.
- Nga viti 2014 deri në vitin 2023, Serbia ka shpenzuar rreth 2 miliardë e 870 milionë dollarë për armatosjen
Kjo shumë nuk përfshin avionët MiG-29, tanket T-72B1MS dhe mjetet e blinduara BRDM-2MS të transferuara nga Rusia për Serbinë.
Për këtë flitet edhe në investigimin e programit “Më lejoni…” të radiotelevizionit serb RTS.
Në vitin 2014, ushtria serbe kishte një buxhet ushtarak prej 777 milionë dollarësh. Pjesa e buxhetit të mbrojtjes në produktin e brendshëm bruto (PBB) të Serbisë ishte 1.6%.
Në vitin 2015, këto shifra arritën shumen prej 515 milionë dollarësh ose 1.35% e PBB-së.
Në vitin 2016 – 654 milionë dollarë ose 1.6% e PBB-së. U blenë 2 helikopterë nga Rusi dhe procesi filloi me blerjen e helikopterëve nga kompania “Airbus”.
Në vitin 2017, buxheti ushtarak serb ishte 639 milionë dollarë ose 1.54% e PBB-së.
Në vitin 2018 ishte rreth 867 milionë dollarë dhe 1.71% e PBB-së.
Në vitin 2019, buxheti ushtarak i Serbisë arriti në 986 milionë dollarë dhe 1.92% e PBB-së. Prokurimet kanë filluar me blerjet e kompleksit të raketave kundërajrore kineze (SAM’S) FK-3 (versioni eksportues i kompleksit të mbrojtjes ajrore HQ-22), të sistemit rus të raketave antiajrore “Pantsir-S1”, të helikopterëve rusë Mi-17 dhe Mi-35.
Në vitin 2020, Beogradi miratoi për nevojat ushtarake 1 miliard e 50 milionë dollarë, ekuivalentin e 2% të PBB-së.
Në vitin 2021, 1 miliard e 463 milionë dollarë ose 2.54% të PBB-së.
Në vitin 2022, 1 miliard e 247 milionë ose 1.97% të PBB-së.
Në vitin 2023, 1 miliard e 510 milionë dollarë, shumën më të madhe në historinë moderne të vendit, e cila përben 2% të PBB-së.
Rritja e buxhetit ushtarak (në ekuivalentin e dollarëve) në periudhën 2014-2023 ka ndodhur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Maqedonia e Veriut rriti shpenzimet e mbrojtjes me 2.37 herë.
Serbia me 1.94 herë.
Shqipëria me 2.08 herë.
Mali i Zi me 1.9 herë.
Bosnja dhe Hercegovina e rriti buxhetin e saj ushtarak, por rritja ishte simbolike, vetëm 5%.
- Nga 1 shkurti, euro do të jetë monedha e vetme e lejuar për transaksionet e pagesave kesh në Kosovë.
Dinari serb do të tërhiqet nga qarkullimi. Vendimi për këtë është miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
“E vetmja valutë e lejuar për operacionet e pagesave kesh në sistemin e pagesave kesh në Kosovë është euro”, thuhet në Rregulloren e Bankës Qendrore për pagesat kesh. Monedhat e tjera mund të përdoren “vetëm si vlera të ruajtjes në forma fizike” ose në llogaritë bankare, për pagesa ndërkombëtare ose transaksione të këmbimit valutor.
Banka Popullore e Serbisë njoftoi se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës praktikisht ndalon përdorimin dhe aksesin e dinarëve për qytetarët e Kosovës dhe Metohisë, të cilët marrin pensione, paga dhe përfitime sociale në dinarë, pengon tërheqjen e dinarëve nga bankomatët, nga zyrat postare dhe institucionet financiare, si dhe pengon transaksionet ndërmjet qytetarëve dhe ndërmarrjeve në dinarë.
Banka Popullore e Serbisë bëri thirrje për anulimin e menjëhershëm të masave që pengojnë qarkullimin e dinarëve në Kosovë dhe theksoi se “institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe Metohi, në asnjë mënyrë nuk janë të autorizuara të deklarojnë euron (ose ndonjë valutë tjetër të huaj), si një valutë e vetme e lejueshme në Kosovë dhe Metohi, gjithashtu euro nuk mund të jetë një forme e ligjshme e pagesave në Kosovë dhe Metohi, pasi Banka Popullore e Serbisë është institucioni i vetëm emetues kompetent i autorizuar për të marrë vendime për përdorimin e dinarit në të gjithë territorin e Republikës së Serbisë”.
Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, deklaroi se vendimi i “regjimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është “vendim për dëbimin e serbëve nga këto territore pa përdorimin e armëve”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore, i cili do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, tha se blloku evropian është ende duke e analizuar këtë çështje. “Ne ende jemi duke analizuar dhe kërkuar sqarime lidhur me këtë vendim, motivet dhe pasojat që mund të sjellë ai…. Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve dhe mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, – tha Stano. Ai përsëriti thirrjen drejtuar të dyja palëve që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Presidenti Aleksandar Vuçiç kërkoi nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të ushtrojë ndikimin e saj në Prishtinë, në mënyrë që Kosova të mos anulojë transaksionet e pagesave në përdorimin e dinarit.
- Shtyhet nënshkrimi i protokollit për akses të lirë në tregun e punës në vendet e “Ballkanit të Hapur” – Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut.
Këtë njoftim e dha Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Nënshkrimi i dokumentit për hapjen reciproke të tregut të punës në vendet e “Ballkanit të Hapur” është parashikuar më 21 janar në Shkup, gjatë takimit të radhës të liderëve të vendeve anëtare të kësaj nisme rajonale, kryeministrave, të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovachevski dhe Edi Ramës, si dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Nisja e aksesit të lirë në tregun e punës, siç ishte paralajmëruar, shtyhet deri në çastin e krijimit të plotë të kushteve teknike për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, në secilin prej vendeve anëtare të nismës – Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut. “Aktualisht janë vendosur protokollet që lidhen me kushtet e aksesit të lirë në tregje, si dhe skemat e identifikimit elektronik. Mbi bazën e tyre, grupet teknike të çdo vendi kryejnë veprimet e nevojshme përfundimtare”, thuhet në mesazh. Testet e koordinimit dhe testet teknike “treguan se nevojitet kohë shtesë për të testuar dhe konfiguruar shërbimet në sistemet e tri vendeve, për t’i bërë ato të aksesueshme publikisht për të gjithë qytetarët”. “Institucionet përgjegjëse për zbatimin po punojnë në mënyrë aktive me testime shtesë dhe harmonizimin e sistemit, duke marrë parasysh rëndësinë, nevojat dhe përfitimet për qytetarët”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, prezantoi planin “Serbia 2027 – një kërcim drejt së ardhmes”.
Arsyeja formale e prezantimit u bë përgatitja për Ekspozitën Ndërkombëtare “Expo 2027”, e cila do të mbahet në Beograd, por dokumenti i prezantuar nga Vuçiçi paraqet planin zhvillimor të vendit për 4 vitet e ardhshme. Plani është hartuar për periudhën 2024-2027 dhe parashikon ngritjen e nivelit të jetesës së qytetarëve, zbatimin e projekteve në fushën e shkencës dhe teknologjisë, arsimit, kujdesit shëndetësor, ekologjisë, zhvillimit të infrastrukturës, industrisë, energjisë, bujqësisë dhe turizmit. “Në thelb, i gjithë projekti i prezantuar është një Serbi e suksesshme”, deklaroi Vuçiçi.
“Investimet në projektet e planifikuara në katër vitet e ardhshme, duke përfshirë edhe përgatitjet e mirëfillta për “Expo 2027”, do të jenë në nivelin e buxhetit vjetor të vendit dhe do të kapin vlerën e 17.8 miliardë eurove.
Në vitin 2027, nëse Serbia do të këtë sukses dhe do të realizojë planin, ajo do të rrisë produktin e saj të brendshëm bruto në 92.7 miliardë euro, që do të jetë trefishimi i rezultatit të vitit 2012”, nënvizoi Vuçiqi.
Presidenti serb theksoi se, parakusht për realizimin e të gjitha projekteve të planifikuara është ruajtja e paqes, duke shtuar se vendi nuk do të devijojë nga rruga evropiane. “Në këto kushte, dhe në këtë situatë gjeopolitike në botë, për ne ka përparësi ruajtja e paqes në rajonin tonë, nëse nuk mund të ndikojmë më në situatën botërore. Është gjithashtu e rëndësishme që, pavarësisht se shpesh me të drejtë, jemi të zemëruar me deklaratat e shumë njerëzve nga Evropa, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Metohinë, integritetin territorial të vendit tonë, Serbia duhet të dërgojë një mesazh të qartë sot në darkë, se ajo do të përpiqet të përshpejtojë rrugën e saj evropiane, duke ruajtur, natyrisht, miqtë tanë tradicionalë, duke ruajtur lirinë dhe pavarësinë tonë”, ka theksuar Vuçiçi.
- Ukraina i kërkon Beogradit të ndalojë veprimtarinë e “Ukrainës tjetër” të Viktor Medvedchuk në Serbi
Ambasada e Ukrainës në Serbi i ka dërguar një notë proteste zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, e cila përmban një kërkesë për ndalimin e aktivitetit të përfaqësimit të “Ukrainës Tjetër” në Serbi.
Diplomatët e arsyetojnë këtë kërkesë me dispozitat e nenit 29 të Ligjit për “Shoqëritë Tregtare të Republikës së Serbisë”, i cili nuk lejon përdorimin e emrit të shtetit në emrin zyrtar të një personi juridik pa lejen e shtetit përkatës të huaj.
Ambasada e Ukrainës thekson se kjo çështje ka edhe një aspekt politik. “Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në BE, e cila, së bashku me 140 vende të tjera të botës dënoi luftën e përgjakshme kundër Ukrainës, duke e shpallur Rusinë vend agresor. Me trishtim duhet të konstatojmë se përpjekjet e disa forcave politike për të zbatuar një skenar antiukrainas, për të nxitur përhapjen e provokimeve të pista nga ana e kumbarit të kriminelit ndërkombëtar, Putinit”, shkruan në një përgjigje për gazetën serbe “Danas” misioni diplomatik ukrainas.
Përfaqësia “Ukraina Tjetër”, themeluesi zyrtar i së cilës është Viktor Medvedchuk, u krijua në Serbi në vitin 2023. Përfaqësuesi juridik i organizatës në Serbi është Dragan Stanojevic. Ky i fundit ndodhet që nga shtatori i 2015-s nën sanksionet e Ukrainës. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, Stanojevic u zgjodh deputet nga lista “Ne jemi zëri i popullit” të Branimir Nestoroviqit.