“Dora e zezë” e Kremlinit, apo si Medvedchuk po ndërton një “Serbi Tjetër”

“Dora e zezë” e Kremlinit, apo si Medvedchuk po ndërton një “Serbi Tjetër”

Lëvizja “Ukraina Tjetër”, e krijuar nga “kumbari i Putinit”, Viktor Medvedchuk, nisi punën aktive në Serbi, madje mori edhe karrigen e deputetit në parlamentin serb. Pse politikani pro-rus, i akuzuar nga Ukraina për tradhti kombëtare, shfaqi interes për Ballkanin?

Do të provojmë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, si dhe të tjerave, në artikullin tonë.

Kush është “kumbari i Putinit”

Viktor Medvedchuk është një person shumë i njohur në politikën ukrainase.

Me arsim avokat, famëkeq në Ukrain për mbrojtjen, në gjykatën sovjetike, të disidentit dhe poetit ukrainas, Vasyl Stus. Asokohe, Medvedchuk pranoi fajin e të mbrojturit të tij, megjithëse vetë Stus e mohoi atë; poeti mori një dënim maksimal, 10 vjet në kampe të regjimit special dhe 5 vjet mërgim. Stus vdiq në burg.

Pas pavarësisë së Ukrainës, Viktor Medvedchuk hyri në politikë. Ishte deputeti dhe madje nënkryetari i parlamentit ukrainas. Vlen të përmendet se “kumbari i Putinit” nuk është thjesht një pseudonim, vajza e Medvedchuk, Darina, u pagëzua me të vërtetë nga Putini në vitin 2004.

Në fillimet e viteve 2000, Viktor Medvedchuk ishte “kardinali gri” i presidentit të atëhershëm, Leonid Kuchma, dhe kryesonte administratën e tij. Pikërisht në këtë pozicion i gjeti “Revolucioni Portokalli” në nëntor të 2004-s, një protestë masive në sheshin qendror të Kyivit, “Sheshi i Pavarësisë” (i njohur më shumë si protesta e “Maidan”-it, Sheshit). Shkaku i zbritjes së ukrainasve në shesh u bënë manipulimet sistematike gjatë zgjedhjeve presidenciale, të organizuara nga qeveria e atëhershme. Protesta paqësore zgjati më shumë se një muaj dhe përfundoi me një kompromis. Qeveria pranoi një rivotim, të ashtuquajturin “raundin e tretë” të zgjedhjeve presidenciale, sipas rezultateve të të cilit nuk fitoi më kandidati pro-rus, Viktor Yanukovych, por ai pro-perëndimor, Viktor Jushçenko. Ndërkohë opozita mbështeti reformën kushtetuese (autori i së cilës, siç flitet, ishte Medvedchuk), e cila minimizonte kompetencat e kreut të shtetit.

Pavarësisht nga humbja e forcës së tij politike si rezultat i “Maidan-it Portokalli”, Viktor Medvedchuk mbeti pjesëmarrës aktiv në jetën politike të Ukrainës dhe nuk u largua nga skena edhe pas fillimit të konfliktit ruso-ukrainas në vitin 2014. Për më tepër, Medvedchuk dhe anëtarët e ekipit të tij morën pjesë në emër të Ukrainës në formate të ndryshme të negociatave ukraino-ruse. Deri në vitin 2018, Medvedchuk ishte anëtar i Grupit të Kontaktit Trilateral, i cili merrej me çështje humanitare.

Megjithatë, me afrimin e pushtimit rus të shkallës së gjerë, marrëdhëniet midis “kumbarit të Putinit” dhe autoriteteve ukrainase nisën të përkeqësoheshin. Kundër Medvedchuk nisi një çështje penale mbi dyshimet për kryerjen e disa krimeve: cenim i integritetit territorial të Ukrainës, vjedhje të burimeve natyrore, transferim të informacionit sekret te shërbimet speciale ruse, tradhti kombëtare, si dhe mbështetje e aktiviteteve e një organizate terroriste.

Pas fillimit të luftës në shkallë të gjerë në vitin 2022, Medvedchuk u përpoq të fshihej e të arratisej, por u kap. Ekziston një mendim, sipas të cilit një nga skenarët fillestarë të një “operacioni special” të shpejtë rus kundër Ukrainës parashikonte pikërisht emërimin e Viktor Medvedchuk si kreun e administratës pushtuese ruse në Kiev.

«Ukraina në mërgim» apo «Rusia e dytë»?

Më 21 shtator 2022, Ukraina i dorëzoi Rusisë Viktor Medvedchuk në kuadër të shkëmbimit. Ai i shpëtoi dënimit dhe iku në Federatën Ruse së bashku me 56 ushtarë rusë. Nga ana tjetër, 215 ushtarë ukrainas u kthyen në Ukrainë nga robëria ruse.

Medvedchuk u përshtat shpejt me rolin e një mërgimtari politik dhe disa muaj më vonë pas largimit të tij në Rusi, krijoi lëvizjen “Ukraina Tjetër”. Qëllimi i vërtetë i organizatës, i qartë në deklaratat dhe veprimet e saj, është bashkimi i qytetarëve ukrainas pro-rusë, kryesisht përtej kufijve të Ukrainës (ose ish-qytetarëve, siç është vetë Medvedchuk, të cilit iu hoq shtetësia ukrainase në fillim të vitit 2023). Në të ardhmen, me sa duket, planifikohet formimi i një lëvizjeje civile-politike mbi bazën e këtij komuniteti, lëvizje që mund të luajë rolin e një “partie opozitare ukrainase” duke mbajtur një qëndrim të hapur anti-ukrainas në mbështetje të agresionit rus.

Krijimi i një force të tillë brenda Ukrainës është i pamundur, sepse do të perceptohej si “sindroma e Stokholmit” ose si tradhti kombëtare. Në Rusi, një aktivitet i tillë duket fare i natyrshëm, si një komponent tjetër hibrid i agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës.

Në aksin ballkanik

Megjithatë, siç doli, lëvizja e Medvedchuk nuk dëshiron të kufizohet vetëm në kufijtë e Federatës Ruse.

Në gusht të vitit 2023, një zyrë përfaqësimi e organizatës ruse “Ukraina Tjetër” u hap në Serbi. Dragan Stanojevich u legjitimua si njeriu i “lëvizjes civile ndërkombëtare”.

Stanojevich është një figurë mjaft e njohur pro-ruse, me biografi të pasur politike. Për një kohë, vendqëndrimi i tij ka qenë Ukraina. Aktualisht Stanojevich është jashtë kufijve të saj, pasi ndodhet nën sanksionet e Ukrainës për shkak të mbështetjeve të ndryshme ndaj Federatës Ruse.

Mediet serbe pohojnë se Stanojevich ka filluar të bashkëpunojë me Medvedchuk shumë vite më parë, në Ukrainë. Ndaj edhe paraqitja e tij si përfaqësues i projektit “kumbari i Putinit” nuk duket e papritur. Megjithatë, mbetet pyetja: ç’lidhje ka “Ukraina Tjetër” me Serbinë?

Përgjigja mund të ishte kjo: përhapja e lëvizjes së Medvedchuk përfshin zhvillimin e aktiviteteve jo vetëm në Rusi, por edhe në vende të tjera, kryesisht në ato mjaftueshëm pro-ruse.

Kjo tezë, ka të drejtë për ekzistencë, pasi një hap i tillë mund të duket mjaft i përshtatshëm nga pikëpamja e synimit të “Ukrainës Tjetër”.

Nuk është sekret që ka një numër të konsiderueshëm shtetasish ukrainas, të larguar pas 24 shkurtit të vitit 2022, drejt Evropës, në Serbi dhe vendet fqinje, kryesisht në Mal të Zi. Mes tyre ka banorë të Krimesë, të Donbasit dhe rajoneve të tjera të Ukrainës që janë ose ishin nën pushtimin rus. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre refugjatëve mbajtën ose arritën të rinovonin pasaportat e tyre ukrainase, pasi pasaportat ukrainase u jepnin përparësi në marrjen e statusit dhe ndihmës në vendet evropiane. Nga informacione jozyrtare, jo të gjithë nga ky kontingjent janë patriotë të Ukrainës; mes tyre ka edhe simpatizantë, edhe tifozë të Federatës Ruse. Refugjatë të tillë, në mënyrë formale ukrainas, gjenden edhe në vendet e BE-së.

Këta persona janë një burim i rëndësishëm për “Ukrainën Tjetër”. Atje e dinë për këtë dhe po mobilizohen për të punuar fuqishëm me ta nga “shtabi” i Beogradit.

Ja çfarë thotë vetë Stanojevich për këtë në një intervistë të fundit:

“Shumë ukrainas janë kundër qeverisë. Disa kanë shkuar në Serbi, disa në Rusi, disa në Bashkimin Evropian. Ka shumë që janë kundër qeverisë. Këta njerëz më drejtohen mua, më kërkojnë ndihmë, këshilla ligjore, pyesin për lejet e qëndrimit. Por më kërkojnë që të mos publikohet ajo që kanë komunikuar me mua, sepse kanë frikë nga vendi i tyre.

Dëshira do të ishte një platformë e re që mund të bashkonte njerëzit, më shumë sesa një politikan i vetëm”.

Këtu mund të kishim përfunduar analizën e qëllimeve reale të hapjes së një përfaqësie për lëvizjen e Medvedchuk në Serbi, ama ka një “por”.

“Ukraina Tjetër” dhe lideri i saj qartazi nuk do të kufizohen në tematikën ukrainase dhe bënë një apel serioz për pjesëmarrjen aktive në jetën e brendshme politike të Serbisë.

“Ukraina Tjetër” apo “Serbia Tjetër”?

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Dragan Stanojevich ishte në listën “Jemi zëri i popullit” të Branimir Nestorovych dhe tani do të marrë një mandat deputeti. Në këtë mënyrë, Stanojevich, si një nga liderët e këtij blloku, do të ketë një platformë autoritare, ndërkohë organizata e Medvedchuk do të ketë një përfaqësi zyrtare në nivel shtetëror në Serbi.

Gjatë fushatës zgjedhore, si dhe pas votimit, Stanojevich, natyrisht, përmendi “Ukrainën Tjetër”, por temat kryesore të deklaratave të tij publike lidheshin me politikën serbe; të jashtme dhe të brendshme. Disa prej tyre marrin kuptim pikërisht në kontekstin e luftës ruso-ukrainase, siç është tema e vendosjes së sanksioneve kundër Federatës Ruse (Stanojevich, sigurisht, është kategorikisht kundër). Por shumica e deklaratave të përfaqësuesit të lëvizjes së Medvedchuk në Serbi kanë të bëjnë me jetën aktuale politike në vend dhe me çështjet që shqetësojnë kryesisht serbët. Si të tilla janë, në radhë të parë, protesta paszgjedhore, Kosova dhe integrimi evropian.

Nuk ka heshtur për ngjarjet e brendshme politike serbe jo vetëm përfaqësuesi i “Ukrainës Tjetër” në Beograd, por as vetë “Ukraina Tjetër”, e cila rregullisht publikon komente për situatën në Serbi.

Ja çfarë tha kreu i Këshillit të Lëvizjes, Medvedchuk, për protestat serbe kundër shkeljeve zgjedhore:

“Ngjarjet e sotme në Serbi janë tipike për ‘revolucionin me ngjyra’, ku nazistët pretendojnë se janë demokratë dhe kriminelët politikë pretendojnë se po vendosin rendin.”

Dhe për integrimin evropian të Serbisë:

“…pse të futemi në Bashkimin Evropian, nëse liderët e vendit do të emërohen prej andej, pavarësisht nga mendimi i popullit, pyetjet mbeten të hapura. Sot Bashkimi Evropian po ndjek vazhdën e NATO-s, që pa asnjë shkak bombardoi Jugosllavinë dhe e copëtoi atë. Dhe është mjaft e dukshme se lëvizja drejt BE-së është një lëvizje drejt copëtimit të mëtejshëm të Serbisë dhe shkatërrimit të serbëve si komb”.

Ndërkohë, ja ku është edhe komenti i postuar nga faqja “Ukraina Tjetër” në lidhje me perspektivat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës:

“Shumë ekspertë theksojnë se koha tani po punon për Beogradin, dhe ndërsa bota globale po shembet dhe prania e Shteteve të Bashkuara në Evropë zvogëlohet, pas disa vitesh Serbia mund të ketë mundësinë ta rifitojë Kosovën relativisht pa dhimbje.”

Mund të supozohet se në një situatë kur SHBA-ja do të jetë shumë e zënë me çështje të tjera, askush në Evropë nuk do të guxojë të luftojë me Beogradin pa mbështetjen e Uashingtonit. Atëherë ushtria e mbimotivuar serbe do të zbatojë urdhrin e shumëpritur, ndërkohë Shqipërinë do ta përfshijë një katastrofë humanitare në formën e një vale me miliona refugjatë nga një shtet i panjohur nga vende të tjera.”

Në të vërtetë, bëhet fjalë për një narrativë të formuluar për “Serbinë Tjetër”, një Serbi që nuk hyn në BE; një Serbi e cila nis një luftë duke e rikthyer me forcë Kosovën; një Serbi e cila është një vasal i Rusisë, sepse, sipas Medvedchuk, “nëse hiqen lidhjet kulturore dhe historike të popullit serb dhe rus, atëherë nuk do të ekzistojë as Serbia në kuptimin e saj kombëtar”.

“Skenari ukrainas” për Serbinë

Deklaratat e lëvizjes Medvedchuk për Serbinë transmetohen në mënyrë aktive nga mediet propagandistike ruse të botuara edhe në gjuhën serbe. (Ky fakt, ndërkohë, tregon se aksi serb, në aktivitetet e “Ukrainës Tjetër”, nuk është një synim i pavarur dhe se ka mbështetje në Kremlin.) Pas pranimit të njeriut të saj në parlamentin serb, organizata e “kumbarit të Putinit” do të ketë edhe më shumë mundësi për të promovuar jo vetëm “Ukrainën Tjetër”, por edhe “Serbinë Tjetër”.

Nuk dihet nëse organizata e Medvedchuk ka marrë një detyrë nga Kremlini apo ka dalë me një iniciativë që më vonë e ka miratuar me Kremlinin, por fakti është se “Ukraina Tjetër” aktualisht po punon në mënyrë aktive në drejtimin serb, dhe me sa duket, ka ndër mend të rrisë aktivitetin e saj në Ballkan.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Ambasada e Ukrainës në Beograd i dërgoi një notë proteste zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, duke kërkuar ndalimin e veprimtarisë se përfaqësimit “Ukraina Tjetër”. Por nuk ka informacione për ndonjë indinjatë nga ana e Beogradit zyrtar në lidhje me veprimtarinë e organizatës së Medvedchuk në Serbi.

Në të njëjtën kohë, situata duket më kërcënuese pikërisht për qeverinë aktuale serbe, të kryesuar nga Aleksandar Vuçiç. Është e qartë se për Moskën, Beogradi i sotëm duket shumë pro-perëndimor dhe jo mjaftueshëm pro-rus, tepër i pavendosur për çështjen e Kosovës, tepër aktiv në avancimin e tij drejt BE-së. Së shpejti mund të presim një rritje të integrimit pro-rus, anti-perëndimor, anti-evropian dhe retorikës konfrontuese për Kosovën nga Medvedchuk dhe ekipi i tij për të ushtruar presion politik mbi Vuçiçin dhe për të nxitur qytetarët serbë. Në fakt, ndërtimi i “Serbisë Tjetër” sipas “metodologjisë” së Kremlinit tashmë ka nisur – pyetja e vetme është se deri ku Beogradi do ta lejojë Moskën të përsëritë “skenarin ukrainas”.