“Kthimi” i Hungarisë drejt Ballkanit Perëndimor

“Kthimi” i Hungarisë drejt Ballkanit Perëndimor

“Kthimi” i Hungarisë drejt Ballkanit Perëndimor

Duke filluar nga viti 2010, pas marrjes nga Viktor Orbani të postit të kryeministrit të Hungarisë, politika e vendit ndaj Ballkanit Perëndimor (më tej-BP), është bërë më aktive. Rajoni u kthye në një përparësi të rëndësishme të politikës së jashtme të Budapestit zyrtar, i cili është shndërruar në një partner të rëndësishëm në BP. Ndërkohë, ende nuk ka një strategji të shkruar të zyrtarizuar të Hungarisë në rajon, dhe politika e vendit në rajon shpeshherë duket kontradiktore dhe jo e qëndrueshme.

Partneri kryesor i Budapestit zyrtar në BP, prej shumë vitesh, mbetet Serbia, disi më pak Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë, me Shqipërinë dhe Kosovën kontaktet janë minimale.

Pse po i kushton kaq shumë vëmendje zgjerimit të pranisë së tij në rajon Budapesti? Disa nga arsyet kryesore mund të jenë si më poshtë:

Memoria historike, e cila përherë kujton territoret e “humbura” pas Luftës së Parë Botërore, duke përfshirë territoret edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci. Një temë vërtet e dhimbshme për hungarezët. Qeveria e përdor atë vazhdimisht për interesat e saj të ngushta politike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Pikërisht ashtu ndodhi edhe një vit më parë, gjatë zgjedhjeve parlamentare në Hungari, ku hartat e “Hungarisë së Madhe” dhe suvenire të ngjashme mund të shiheshin pothuajse në çdo tubim parazgjedhor të partisë në pushtet, “FIDES”. Politika aktuale e Budapestit në BP mund të konsiderohet si një dëshirë për t’u “rikthyer” në rajonin që dikur ishte “i veti”.

Lufta për udhëheqje rajonale. Të qenët liderë të një rajoni është ëndrra e politikanëve hungarezë. Ata e kuptojnë se në Evropën Qendrore ka goxha konkurrentë të fuqishëm, ndërkohë, BP është ende “i lirë” dhe këtu Budapesti ka shanse për lidershipin. Theksi u vu në promovimin e integrimit euroatlantik të vendeve të BP-së dhe nisi lobimi sistematik i këtij procesi. Këtë vënë në dukje studiuesit polakë, Tomasz Zornachuk dhe Veronika Jozwiak, duke theksuar se përshpejtimi i integrimit evropian të Ballkanit mbetet një synim afatgjatë për Hungarinë. Për këtë, ai foli edhe gjatë samitit të fundit BE-BP, në dhjetor të vitit të kaluar. V. Orbani mbështet J. Borelin, i cili thekson se “Ballkani është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bashkimin Evropian”. Më 11 korrik 2023, në Institutin Hungarez të Politikës së Jashtme u zhvillua një diskutim rreth politikës së Hungarisë në BP, ku përfundimi kryesor ishte promovimi më aktiv i integrimit të shpejtë evropian të vendeve të rajonit në interesat politike dhe ekonomike të Budapestit. Atëherë, përparësi mbetet përshtatshmëria politike dhe interesat vetjake, dhe jo arritjet reale të vendeve kandidate. Me kalimin e kohës, Budapesti është bërë, nëse jo një lider rajonal, të paktën një motor i fuqishëm i integrimit evropian të BP-së, një ndërmjetës efektiv dhe njëkohësisht i diskutueshëm midis BE-së dhe BP-së. Sepse, ndërmjetësimi në radhë të parë duhet të kënaqë interesat e Hungarisë, edhe nëse në vijim kjo do të bëhet pengesë për afrimin e BP-së me Bashkimin Evropian. Ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2018, kur kryeministri hungarez këshilloi qeverinë e atëhershme të Shkupit që të mos ndryshonte emrin e shtetit (!) për të zhbllokuar veton e Greqisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Po kështu edhe pak kohë më parë, deklarata e fundit e V. Orbanit për bllokimin e çdo sanksioni kundër presidentit të republikës Srpska (BiH) Milorad Dodik është një mbështetje për separatizmin e tij dhe nuk do të kontribuojë në integrimin evropian të BiH-it.

Po në këtë kontekst duhen parë edhe përpjekjet e V. Orbanit për të rritur ndikimin e tij politik, dhe për këtë ai vendosi marrëdhënie miqësore me udhëheqësit joliberalë të rajonit. Në kohët më të mira, “klubi” i tij i autokratëve përfshinte ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevskin, dhe kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansën, presidentët aktualë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe të Republikës Srpska, M. Dodik. Sot në “klub” kanë mbetur vetëm Vuçiçi, Dodiku dhe Orbanu. Janë politikanë të krahut të djathtë bashkuar nga vlerat joliberale, antievropiane, dukuria e kufizimit të lirive dhe të të drejtave të njeriut, refuzimi i fshehur i myslimanëve, “armiqësor” për krishterimin. Ata u bënë aleatët e Hungarisë në “kthimin” e saj drejt BP-së. Këto marrëdhënie miqësore ndihmojnë V. Orbanin të zgjidhë problemet akute pa tërhequr shumë vëmendje.

Afërsia gjeografike e rajonit kontribuon në zhvillimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike me vendet e BP-së. Qarkullimi i mallrave u rrit nga rreth 3 miliardë euro në vitin 2010, në thuajse 12 miliardë në vitin 2022. Sektorët kryesorë të bashkëpunimit janë telekomunikacioni, infrastruktura e transportit, energjia, bujqësia dhe tregtia me pakicë. Në vitin 2020, Agjencia Hungareze e Nxitjes së Eksportit krijoi një “korridor” investimi për Bosnje-Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi, me një vlerë rreth 7 milionë euro.

Partneri kryesor tregtar dhe ekonomik i Hungarisë në rajon mbetet Serbia, e cila përbën pothuajse 30% të qarkullimit tregtar me BP-në. Kompanitë hungareze OTP Bank (sektori financiar) dhe 4iG (telekomunikacioni) po zgjerojnë praninë e tyre në Serbi, po ndërtohet një hekurudhë me shpejtësi të lartë midis Budapestit dhe Beogradit. Bashkëpunimi energjetik mbetet përparësi; është arritur marrëveshja për ndërtimin e një ndërlidhësi, i cili do të lidhë Serbinë me naftësjellësin “Druzhba”, po diskutohet blerja nga Serbia e 5-10% të aksioneve të centralit bërthamor hungarez, “Paksh-2”, po zgjerohet bashkëpunimi në sektorin e gazit. Po vazhdon diskutimi për krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët ndërmjet Serbisë dhe MVM Group të Hungarisë, që planifikon të investojë 600 milionë euro në të. Nga ana tjetër, Elektroprivreda do të heqë dorë nga 11 hidrocentrale shtetërore.

Bashkëpunimi më modest i Hungarisë është me Bosnje-Hercegovinën, ku qarkullimi tregtar është i barabartë me rreth 0.7 miliardë euro, ku vetë RS-ja zë rreth 30%. Në vitet 2021-2023, Hungaria i ka ofruar republikës Srpska ndihmë në vlerën 218 milionë euro, në forma të ndryshme. Ndërkohë vazhdon diskutimi dhe përcaktimi i mundësisë së pjesëmarrjes së kompanisë hungareze të naftës dhe gazit MOL në disa projekte në RS.

V. Orbani nënshkroi marrëveshjen për bashkëpunimin midis Hungarisë dhe RS-së gjatë vizitës së tij në republikë vitin e kaluar. Marrëveshja e nënshkruar do të mbështesë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke filluar nga shëndetësia dhe duke përfunduar me ekonominë, arsimin dhe transportin, energjinë e rinovueshme.

Mbështetja e pakicës hungareze është një detyrë tradicionale e çdo qeverie hungareze. V. Orbani e ktheu atë në një mega synim, që i jep mundësinë të përdorë minoritetet në luftën e brendshme politike. Përafërsisht 300 000 serbo-hungarezë, që kanë gjithashtu pasaporta hungareze, jetojnë në Vojvodinë, në veri të Serbisë. Ata mbështesin dhe bashkëpunojnë me qeveritë e të dy vendeve, ndërkohë pasaportat e të dy shteteve u japin të drejtën e votës në to, duke mbështetur tradicionalisht regjimet aktuale. Budapesti i kushton shumë vëmendje ndikimit informativ dhe ideologjik mbi serbo-hungarezët përmes masmedias në gjuhën hungareze, ku, gjatë 10 viteve të fundit janë investuar rreth 12 milionë euro.

Qeveria e Budapestit i kushton shumë vëmendje ruajtjes së sigurisë dhe luftës kundër migracionit të paligjshëm në rajon, si fuqi baruti që e kufizon me Hungarinë. Kjo është arsyeja pse, prej vitesh tashmë, ajo ruan praninë ushtarake këtu, duke marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në Kosovë (KFOR) dhe BeH (EUFOR). Ndaj, gjatë provokimeve të fundit të serbëve në veri të Kosovës, paqeruajtësit hungarezë ndihmuan në rivendosjen e rendit, 12 prej tyre u plagosën. Për herë të parë, një gjeneral hungarez kryeson EUFOR-in dhe kontingjenti i paqeruajtësve hungarezë u trefishua, deri në 400 ushtarë, nga kontingjenti i përgjithshëm prej 1100 në total.

Në të njëjtin kontekst duhet parë lufta e Hungarisë kundër migracionit të paligjshëm së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat ndodhen në të ashtuquajturën “rrugën ballkanike” të emigrantëve të paligjshëm. Një rol të rëndësishëm mund të luajnë marrëveshjet trepalëshe të Budapestit, Vjenës dhe Shkupit, të arritura më 3 dhjetor 2023 për forcimin e luftës së përbashkët kundër këtij fenomeni. Sipas tyre, në kufijtë me Maqedoninë e Veriut do të vendosen njësi shtesë policore austriake dhe serbe, pajisur me teknika moderne, përfshirë edhe drone. Emigrantët ilegalë e përdorin Hungarinë si një vend tranzit, një vend për grumbullimin e ilegalëve dhe strehimin e bandave etnike. Për të dytin vit, lufta mes tyre vazhdon për kontrollin e pjesëve të caktuara të kufirit serbo-hungarez, gjë që prek edhe banorët vendas në të dy anët e tij. Miqësia mes Orbanit dhe Vuçiçit i lejoi hungarezët të ndërtonin një gardh në kufi dhe të vendosnin njësi ushtarake pa protesta nga pala serbe. Të dy mbështesin tezën e liderit hungarez se “migracioni nuk mund të kontrollohet, ai duhet të ndalohet”.

Në këtë mënyrë, projekti i “kthimit” të Hungarisë drejt Ballkanit Perëndimor duhet të konsiderohet në disa aspekte:

– ai punon për të ndërtuar imazhin e Hungarisë (dhe liderit të saj, V. Orban) si një vend me ndikim jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Bashkimin Evropian;

– projekti lejon zbatimin e një politike të jashtme, të ndryshme nga politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë e Bashkimit Evropian (CFSP) jo vetëm në lidhje me Ukrainën, por edhe në BP;

– të gjitha veprimet që po kryen Hungaria në procesin e “kthimit” drejt BP-së konsiderojnë vetëm interesat politikë dhe ekonomikë të Hungarisë dhe kontribuojnë në forcimin e fuqisë së V. Orbanit. Çdo gjë tjetër, përfshirë këtu edhe ndihmën për integrimin evropian të rajonit, është dytësore.