Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 29.04.2024 – CWBS

Përmbledhje e Ballkanit Perëndimor 29.04.2024 – CWBS
  • Maqedonia e Veriut pret balotazhin e zgjedhjeve presidenciale

Kandidatja e opozitës VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova mori 40% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut më 24 prill. Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me mbështjetjen e partisë pushtetare LSDM, fitoi pak më pak se 20% të votave.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku do të përballen Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovski, do të mbahet më 8 maj krahas zgjedhjeve parlamentare.

Vendin e tretë dhe të katërt në raundin e parë e zunë dy përfaqësuesit e pakicës shqiptare: Ministri i Punëve të Jashtme, kandidati i BDI-së, Bujar Osmani (13%), si dhe kryetar i Komunës së Gostivarit e kandidat nga koalicioni opozitar “Vredi” (“Bashkimi Evropian për Ndryshimin”) Arben Taravari (9%). Kontributi i votuesve shqiptarë mund të jetë faktor vendimtar gjatë balotazhit. Ekspertët parashikojnë se votat e mbështetësve të Osmanit mund të shkojnë për Pendarovskin, ndërsa shqiptarët me prirje opozitare që votuan për Taravarin mund të zgjedhin të kundërshtojnë të dy kandidatët.

  • PE voton për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor

Ky plan i ri i Bashkimit Evropian parashikon financimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me një shumë prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë do të jepen në formën e granteve dhe katër të tjerat në formë të kredive.

Plani paramendohet të jetë një faktor suplementar, jo themelor, për mjetet aktuale ndihmuese për antarësimin në BE, por ndarja e fondeve nga kjo paketë e ndihmës financiare do të jetë subjekt i një numri kushtesh. Sipas Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, supozohet se vendet kandidate për të marrë fonde duhet t’i harmonizojnë plotësisht politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së, duke përfshirë sanksionet evropiane kundër Rusisë.

Një kusht tjetër për Kosovën dhe Serbinë është prova e përparimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre shteteve.

Kushtet shtesë e bëjnë marrjen e fondeve sipas Planit të ri të Rritjes jashtëzakonisht problematike, sidomos për Serbinë.

  • Serbia e detyruar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën për t’u anëtarësuar në BE

Ministrat e jashtëm të BE-së kanë miratuar amendamentet e kapitullit 35 në negociatat e anëtarësimit së Serbisë, duke i shtuar asaj detyrën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Konkretisht bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjeve të mbështetura nga Beogradi dhe Prishtina në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër.

Ndër klauzolat kryesore të marrëveshjeve është detyrimi i marrë nga palët për njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare, përfshirë pashaportat, diplomat dhe targat, si dhe obligimi i Serbisë për të mos kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Në fakt, bëhet fjalë për nevojën e njohjes në mënyrë de facto të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi dhe përfundimit të fushatës serbe që kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Këto kushte përbëjnë një pengesë jo të vogël për integrimin evropian të Serbisë.

  • APKB shtyn shqyrtimin e rezolutës për Srebrenicën

Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën duhej të mbahej votimi për Rezolutën e gjenocidit në Srebrenicë më 2 maj, u shtye.

Teksti i rezolutës do të rishikohet nëse vendet anëtare të OKB-së kanë ndonjë propozim tjetër, tha ambasadori i BiH në OKB, Zlatko Lagumdzija. Do tu ofrohet të gjithëve më shumë kohë për t’u njohur me faktet reale dhe për të paraqitur mocionet e tyre, përfshirë individët që e kundërshtojnë dokumentin.

Rezoluta për Srebrenicën përfshin një kërkesë për të shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995, si dhe për të përfshirë informacion rreth krimit në kurrikulat arsimore në shtetet anëtare të OKB-së. Serbët e Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë qëndrojnë kategorikisht kundër këtij drafti me pretendimin se vërtet një krim është kryer në Srebrenicë, por jo gjenocid.

Shtyrja e votimit të Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së shpjegohet nga roli shumë aktiv i Beogradit në arenën e politikës së jashtme dhe radikalizimi i qëndrimeve të serbëve dhe boshnjakëve në Bosnje-Hercegovinë.

  • KS i OKB-së mban një tjetër takim për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi raportin periodik të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, rreth punës së Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Në raportin e periudhës nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024, të cilin në seancë e prezantoi kryetarja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në veçanti, kritikoi incidentin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në fshati Bansjka, ku ndodhi një përleshje e armatosur mes një grupi paramilitar serb dhe policisë së Kosovës. Guterres bëri thirrje që hetimi të përfundojë dhe autorët të vihen para drejtësisë sa më shpejt.

Raporti gjithashtu shpreh shqetësim në lidhje me ndalimin e përdorimit të dinarëve në transaksionet me kesh (para në dorë) në Kosovë, sepse ky vendim ka patur një ndikim negativ në komunitetin serb. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje për një diskutim urgjent të këtyre çështjeve të hapura në kuadër të një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Raporti thekson urgjencën e formimit të një Asociacioni të Komunave Serbe, që është detyrë e Prishtinës sipas marrëveshjeve të nënshkruara më parë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Shumica e anëtarëve të përhershëm dhe jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, duke mbështetur pikat kryesore të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, shprehën shqetësimin e tyre rreth mungesës së progresit në hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të incidentit të armatosur në Bansjka shtatorin e kaluar dhe u theksua nevoja që të dyja palët të përmbushin angazhimet e tyre sipas marrëveshjeve të nënshkruara më parë.

Atmosfera gjatë mbajtjes së seancës ishte mjaft e tensionuar. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur tejet i pakënaqur me prezencën e grave kosovare që janë viktimizuar nga serbët gjatë luftës, pranë Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Në fakt, mbledhja e Këshillit të Sigurimit u kthye në një pjesë të fushatës pro dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Europian, fushato kjo në të cilën Beogradi dhe Prishtina po angazhohen intensivisht këto ditë.

  • Parlamenti Evropian miraton liberalizimin e vizave për qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë.

Më 23 prill, 406 nga 597 deputetë të Parlamentit Evropian votuan për anulimin e vizave për individët mbajtës të pashaportave të lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë, 97 ishin kundër mocionit dhe 94 abstenuan.

Këshilli i BE-së ende nuk e ka miratuar vendimin.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shijojnë udhëtimin pa viza nëpët shtetet e Bashkimit Europian.

Qytetarët serbë në Kosovë që kanë pashaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë mbeten të vetmit banorë të rajonit që kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në BE. Autoritetet serbe kanë theksuar vazhdimisht se kjo situatë është diskriminim ndaj qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

  • Në Hungari mbahen forumet për bashkëpunimin e sigurisë ndërmjet EQL dhe Ballkanit Perëndimor

Në Budapest u zhvillua një takim i Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) dhe Dialogut të Sigurisë së Budapestit (BSD), në kuadër të të cilit u mbajt një ekspozitë e industrisë së mbrojtjes. Morën pjesë pesë vende nga Europa Qendrore (Austria, Republika Çeke, Kroacia, Hungaria (e cila kryeson CEDC), Sllovakia dhe Sllovenia) si dhe gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia ).

Temat kryesore të negociatave të CEDC ishin sfidat aktuale të sigurisë me të cilat përballet Ballkani Perëndimor dhe integrimi evropian dhe euroatlantik i rajonit, si dhe themelimi i Akademisë së Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi.

Forumi i Sigurisë në Budapest diskutoi vendin e Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor në arkitekturën e re europiane të sigurisë.

Gjatë fjalimit hapës në BSD, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Hungarisë, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, theksoi: “të gjithë flasin për luftën por paqja është thesari ynë më i rëndësishëm”, duhet theksuar se paqja duhet ruajtur dhe duhet shfrytëzuar çdo mundësi e mundshme për të theksuar rëndësinë e saj. Duhet me patjetër të dëgjohet zëri i Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor në lidhje me këtë çështje, vuri në dukje ai. Detyra jonë është “të jemi mbrojtësit e paqes”, theksoi Szalay-Bobrovniczky.

Ngjarjet tregojnë se Hungaria po punon në mënyrë aktive për të promovuar versionin e saj të politikës së sigurisë europiane, para së gjithash, në lidhje me luftën në Ukrainë dhe formimin e një grupi figurash me tl njejtat prioritete, si në shtetet brenda edhe ato jashtë BE-së – përfshirë Ballkanin Perëndimor. Ndërveprimi intensiv i autoriteteve hungareze me Ballkanin Perëndimor synon jo vetëm të promovojë vendosjen e Hungarisë si një lider rajonal, por edhe të ndikojë në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i afruar me pozicionin e mbajtur nga Budapesti.

  • Dodik takohet me Patrushevin

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, mori pjesë në “Takimin Ndërkombëtar të Përfaqësuesve të Lartë për Çështjet e Sigurisë” në Shën Petersburg. Gjatë këtij forumi, Dodik u takua me Sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev.

Patrushev vuri në dukje se Moska e vlerëson “pozitën parimore” që mban Republika Srpska “kundër përafrimi me sanksionet” dhe “caqet e forta dhe konsistente në lidhje me krizën ukrainase”.

Dodik, nga ana tjetër, falënderoi Patrushevin për mënyrën se si Republika Srpska “trajtohet në Rusi” – “juve personalisht, presidentit Putin, si dhe shtetit rus”. Sipas tij, bëhet fjalë për një bashkëpunim strategjik, i cili “është i një rëndësie themelore” për “ekzistencën e mëtejshme” të Republikës.

Një takim tjetër i liderit të serbëve të Bosnjës me përfaqësues të pushtetit rus supozohet të tregonte mbështetjen që Federata Ruse i ofron Republikës Srpska, si dhe të bëhej pjesë e fushatës së politikës së jashtme serbe kundër miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Megjithatë, raportet zyrtare që vijnë nga mediat ruse pas takimit të Patrushevit me Dodikun, vënë në fokus mbështetjen e Republikës Srpska ndaj Rusisë. Paraqitja e takimit në mediat ruse tregon se Moska vuan nga një mungesë e mbështetjes në arenën ndërkombëtare po aq se Republika Srpska.