Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 24 prill dhe 8 maj janë, në të vërtetë, një referendum për kursin e ardhshëm të vendit. Integrimi i mëtejshëm evropian, anëtarësimi i besueshëm në Aleancën e Atlantikut të Veriut, marrëdhëniet e qëndrueshme me Greqinë dhe Bullgarinë fqinje: gjithçka varet nga vendimi i votuesve. Aktualisht, parashikimet nuk janë optimiste.
Sipas të dhënave të fundit të hulumtimit sociologjik, kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE (maqedonisht: Внатрешна македонска револуционерна организација – Демократска партија за Македонско национално Единство), është përpara presidentit dhe kandidatit të SDMS-së, Stevo Pendarovskit, në detyrë (maqedonisht: Социјалдемократски сојуз на Македонија), dhe VMRO-DPMNE është përpara SDMS-së. Rezultatet e sondazheve tregojnë se, në Maqedoninë e Veriut ekziston mundësia e ndryshimit të pushtetit, që do të thotë se është i mundur korrigjimi i drejtimit të mëtejshëm në zhvillimit të vendit.
Duhet theksuar menjëherë se, VMRO-DPMNE-ja nuk pozicionohet si forcë politike antievropiane apo antiatlantike. Kandidatët e saj nuk bëjnë thirrje për tërheqje të menjëhershme nga NATO-ja, nuk deklarojnë se Bashkimi Evropian është një e keqe. E vetmja gjë që propozon partia është të mos bëhen lëshime të reja në lidhje me integrimin evropian, të pezullohet zbatimi i marrëveshjeve tashmë të arritura dhe, aty ku është e mundur, të sabotohen vendimet e mëparshme të kompromisit, që ka pranuar dikur Shkupi me qëllim për t’iu bashkuar Atlantikut të Veriut. Në thelbin e këtij qëndrimi të VMRO-DPMNE-së është përkushtimi për mbrojtjen e identitetit kombëtar maqedonas, aq më tepër, të krenarisë kombëtare.
Elementet e kësaj politike janë, në radhë të parë, mbrojtja e së drejtës për emrin “Maqedoni”, nga e cila vendi hoqi dorë me këmbënguljen e Greqisë, duke nënshkruar Marrëveshjen e Prespës, falë së cilës u zhbllokua anëtarësimi i ish-Republikës Jugosllave në NATO dhe refuzimi për të bërë ndryshime në Kushtetutë, për të cilat qeveria, e kryesuar nga SDMS–ja, ka renë dakord për të kapërcyer veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. (Në veçanti bëhet fjalë për përfshirjen në Preambulën e Ligjit Themelor të një reference për pakicën kombëtare bullgare dhe përcaktimin e popullit bullgar si shtet-krijues).
Gjatë debateve parazgjedhore, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, deklaroi se, nëse zgjidhet kryeministër, ai do t’i referohet vendit ekskluzivisht si “Maqedoni”, përkundër Marrëveshjes së Prespës. “Për mua, Maqedonia është dhe do të mbetet Maqedoni. Paraardhësit e mi do të krenoheshin me mua për atë që bëj për popullin dhe vendin tim”, theksoi Mickoski.
Kjo deklaratë nuk është ligjërisht detyruese, por në të vërtetë është njoftimi i një ndryshimi të kursit politik, që në fund mund të çojë në pasoja juridike dhe në ripërtëritje të mosmarrëveshjeve me Greqinë, po ashtu mund të sjellë edhe probleme në marrëdhëniet brenda NATO-s. (Është domethënës fakti që pikërisht mediet greke citojnë deklaratat e Mickotskit.)
Qëndrimin për një çështje tjetër, vendosjen e amendamenteve në Kushtetutë, e ka formuluar nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikoloski.
“Ndryshime kushtetuese të diktuara nga Bullgaria nuk do të ketë kurrë, – u shpreh ai në një intervistë për televizionin maqedonas. – Në vitin 2024, pas 35 vitesh lëshimesh për shkaqe të ndryshme, njerëzit janë lodhur nga kjo gjë, ndaj nuk duan të tolerojnë më shumë. Këto sinjale i ndiejmë kur takojmë njerëz… Pra, nëse Bullgaria dëshiron të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, ato duhet të jenë mbi baza të barabarta, parime barazie dhe duhet të jetë një rrugë me dy kahe. Nëse ata mendojnë se do të na bëjnë shantazh, duhet të dinë se, së paku me VMRO-DPMNE-në shantazhi nuk vlen, – ka theksuar politikani.”
“Dua që nesër të kem mundësinë të eci në rrugë me kokën lart dhe nuk mendoj se dorëzimi është mënyra e duhur për të bërë politikë”, është shprehur ai.
Kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, ka dhënë gjithashtu deklarata në frymën e politikës së partisë. Ajo akuzon politikanët e pushtetshëm se “na kanë marrë emrin tonë, rrezikojnë identitetin tonë, fshijnë historinë tonë”.
Qëndrimi patriotik i VMRO DPMNE-së u pëlqen votuesve, siç e dëshmojnë edhe sondazhet. Sidoqoftë, pasoja e drejtpërdrejtë e zbatimit të një politike të tillë, me një probabilitet gati 100%, do të jetë ndalimi i integrimit evropian për shkak të vetos së Bullgarisë. Mund të debatohet për drejtësinë e kushteve bullgare, por ky është realiteti në të cilin jeton Maqedonia e Veriut.
Pjesëmarrësit nga pushteti në garën zgjedhore theksojnë se refuzimi i avancimit në BE do të çojë jo vetëm në stanjacion dhe izolim, por do ta kthejë vendin drejt Lindjes, gjë që as anëtarësimi në NATO nuk do të mundet ta pengojë. “Sa më pak e pranishme të jetë BE-ja në Ballkan, aq më e madhe bëhet prania e Rusisë. Nëse lëmë vakum në aspektin strategjik, do ta mbushin të tjerët”, theksoi presidenti Pendarovski në një intervistë të fundit.
Ministri i Punëve të Jashtme (i qeverisë teknike të mëparshme dhe aktuale), dhe kandidat për kryetar të “Frontit Evropian” të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (maqedonisht: Демократска унија за интеграција, ДУИ), Bujar Osmani përkujton:
“Ambasadori rus në Podgoricë e shprehu qartë qëndrimin se anëtarësimi në Bashkimin Evropian si i tillë konsiderohet një kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë. Ky është një ‘ndryshim’ serioz në qëndrimin e Federatës Ruse ndaj anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Kur shikoni partitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe politikanët që komplotojnë haptazi për të bllokuar procesin e integrimit evropian duke minuar Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë, Marrëveshjen Kuadër [Marrëveshjen e Ohrit], atëherë e kuptoni se Federata Ruse ka gjetur elementë në vend që duan të pengojnë integrimin evropian të vendit, pasi, sipas mendimit e tyre, kjo përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare.”
Duke iu referuar “informacioneve që ka NATO-ja”, ai thekson: “Vihet re një përfshirje e thellë e Federatës Ruse në sistemin e brendshëm politik dhe institucional. Qendra të ndikimit të fortë janë krijuar tashmë në rajon, por edhe në vendin tonë. Ato kanë ndikim të madh në partitë politike, Federata Ruse ka ndikim të fortë te kandidatët presidencialë”. Më herët, përfaqësuesit zyrtarë të NATO-s paralajmëruan për ndërhyrjen ruse në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Në mes të shkurtit, duke folur të mërkurën para nënkomisionit të Parlamentit Evropian për sigurinë dhe mbrojtjen, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Joane shprehu shqetësimin për atë që po ndodhte në aspektin e dezinformimit dhe përpjekjeve hibride të Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Maqedonisë së Veriut. “Kjo sjell shqetësime të mëdha për ne. Ne shohim se si luajnë lojtarët rajonalë, por shohim gjithashtu edhe se si luajnë lojtarët rusë”, u shpreh ai.
Hibriditeti, fshehtësia dhe mënyra jo e drejtpërdrejtë e ndërhyrjes në punët e brendshme janë kthyer në specifika të metodës ruse në këtë fazë. Lobimi i hapur rus, siç ishte para disa vitesh, kur Aleksandar Dugini madje mbante një konferencë të përbashkët me politikanët maqedonas në Shkup, “Bashkimi strategjik i Republikës së Maqedonisë me Rusinë dhe anëtarësimi në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik”, sot nuk ndodh. Pendarovski e shpjegon ndryshimin e metodave ruse në këtë mënyrë:
“Për shkak të kësaj katastrofe të madhe që ndodhi me pushtimin e Ukrainës, Rusia nuk është plotësisht e fokusuar në Ballkan, pasi ajo i ka përqendruar të gjitha resurset e saj në Ukrainë… dhe nuk ka qenë aq e pranishme në Ballkan gjatë dy viteve të fundit sa ka qenë më parë. Sidoqoftë, kjo është arsyeja pse ekzistojnë të ashtuquajturat ‘Proxy’ rajonalë që punojnë drejtpërdrejt në vend të rusëve.”
Ministri i Punëve të Brendshme të qeverisë aktuale teknike dhe anëtar i VMRO-DPMNE-së, Pançe Toshkovski, i hedh poshtë kategorikisht akuzat për ndikim rus në partinë e tij. Në një intervistë për radion Evropa e Lirë, ai tha se akuzat e vazhdueshme nga SDMS-ja dhe BDI-ja, që partia e tij e kundërshton BE-në, i konsideron “absolutisht joserioze”, “politizime ekstreme”, si dhe “keqpërdorime politike”.
“VMRO-DPMNE-ja është partia e parë që në statutin e saj e ka përcaktuar saktë dhe shumë qartë se ku e sheh veten dhe ku e sheh shtetin dhe kjo, natyrisht, si pjesë e familjes evropiane dhe pjesë e NATO-s, asgjë tjetër”, tha Toshkovski.
Gjithsesi, problemi është se, gjatë gjithë rrugës evropiane dhe të integrimit evropian, që çoi në ndryshimin e emrit të ish-republikës jugosllave dhe garantoi anëtarësimin e saj në NATO, politikanët nga mjedisi i VRMO-DPMNE-së, duke mbajtur postet më të larta qeveritare, kundërshtuan kategorikisht çdo kompromis për hir të anëtarësimit në NATO dhe BE, duke e bërë të pamundur anëtarësimin në këto struktura. Dhe gjatë gjithë kohës, këtë qëndrim, në mënyrë të hapur e në nivel zyrtar, e ka mbështetur Rusia.
Kur marrëveshja me Greqinë po diskutohej ende, në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Georgi Ivanovi (përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së e mbajti këtë post për 10 vjet, nga 12 maji i 2009-s deri më 12 maj të 2019-s), në fjalimin i tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, deklaroi: “Ndryshimi i emrit të Maqedonisë është ‘kurth’ dhe ‘shkelje e rëndë e sovranitetit’.” Ministria e Punëve të Jashtme ruse e mbështeti menjëherë ketë deklaratë, duke theksuar se Marrëveshja e Prespës “bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe kushtetutën maqedonase, për të cilën, më shumë se një herë, tërhiqte vëmendjen presidenti maqedonas, Georgi Ivanovi, përfshirë edhe sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”.
Asokohe Federata Ruse kërcënonte se do të përdorte të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të mos e lejuar Maqedoninë të ndryshonte emrin e saj në përputhje me marrëveshjen me Greqinë. Por në fund, rusët humbën, VMRO-DPMNE-ja humbi pushtetin, emri u ndryshua dhe vendi u anëtarësua në NATO.
Rrota e historisë po merr përsëri kthesën, por tashmë me anëtarësimin në BE. Pozicioni patriotik i VMRO-DPMNE-së, mjaft i përshtatshëm dhe pozitiv në kushte të tjera gjeopolitike, sot mund ta çojë Maqedoninë e Veriut në një situatë të ndalimit të integrimit evropian, konfrontimit me Perëndimin dhe në krahët e Moskës, edhe nëse kjo nuk është dhe nuk ka qenë ndonjëherë synimi i kësaj partie politike dhe i këtyre politikanëve.