Dorëheqja pa rëndësi dhe kryeministri pa program – Miodrag Vlahoviç

Dorëheqja pa rëndësi dhe kryeministri pa program – Miodrag Vlahoviç

Ajo që u paralajmërua nga shumë analistë dhe ekspertë politikë prej muajsh, ka ndodhur: presidenti i Malit të Zi dhe zëvendëspresidenti i lëvizjes “Evropa Tani!” (PES), Jakov Milatoviç dha dorëheqjen nga të gjitha postet partiake dhe u largua plotësisht nga radhët e partisë.

I gjithë traumatizmi rreth këtij akti ishte mjaft i shkurtër dhe zgjati më pak se një javë, por kaq mjaftoi që edhe shumë anëtarë të tjerë të lëvizjes të largoheshin nga komitetet e partisë në Podgoricë dhe Danilovgrad, qoftë për të dhënë mbështetjen e tyre, qoftë duke ndjekur interesat vetjake.

Selia e PES-së, ku kryeministri Spajiç mban shumicën, iu përgjigj këtyre mesazheve të shumta për largimin me letra të sinkronizuara dhe me komunikata për shtyp për mbështetje të komiteteve komunale, sipas skenarit, i cili është bërë i vetmi i pranueshëm për partitë që janë përballur me konflikte dhe mosmarrëveshje të kësaj natyre.

(Përveç dorëheqjes së Milatoviçit, ministri aktual i Drejtësisë, Andrej Miloviç u përjashtua nga PES-ja, por ai mban ende postin në qeveri, gjë që, ndër të tjera, dëshmon për një situatë kaotike në radhët e partisë, më e madhja vetëm pak kohë më parë, e cila është pjesë e mazhorancës parlamentare. Sidoqoftë, situata kërkon një analizë të veçantë, pasi ajo prek majat e shërbimit të sigurisë dhe Drejtorisë së Policisë, me elemente të ndikimit të faktorëve të huaj dhe ndikimeve malinje…)

Në kontekstin e skenarëve të mundshëm politikë dhe zhvillimit të situatës, dorëheqja e Milatoviçit ngre më shumë pikëpyetje nga sa ofron përgjigje.

Së pari, versioni që Milatoviçi do të krijojë partinë e tij ndoshta do të dalë i vërtetë. Megjithatë, një vështrim më i detajuar i peizazhit politik në Mal të Zi tregon se hapësira për manovrim për një operacion kaq të ndërlikuar është ngushtuar ndjeshëm. Njoftimi se pjesë të ish-PKSH-së (Partia Popullore Socialiste), nën udhëheqjen e Aleksandar Damjanoviçit, ish-ministër i Financave në qeverinë e Dritan Abazoviçit, do të formojnë një parti të re, do ta ngushtojë edhe më shumë këtë “dritare mundësish”. Damjanoviçi deklaroi menjëherë se nisma e tij nuk ka të bëjë fare me statusin e ri të Milatoviçit, përkatësisht, të presidentit pa parti. Pra, kush mbetet në skenën politike që të mund të afrohet me Milatoviçin? Lista është vërtet mjaft e shkurtër dhe përfshin vetëm struktura dhe personazhe margjinale politike pa peshë politike.

Së dyti, pyetja e madhe është se çfarë mund t’u ofrojë vetë Milatoviçi aleatëve dhe ndjekësve të mundshëm. Pa përvojën e tij politike, njohuritë e tij modeste dhe të kufizuara janë të vështira për t’u fshehur. Posti i presidentit të shtetit në Mal të Zi, vetëm nëse nuk jeni person i kalibrit të Milo Gjukanoviçit dhe kryetar afatgjatë i partisë më të fuqishme, siç ishte Gjukanoviçi për gati 30 vjet, nënkupton kryesisht detyra ceremoniale dhe përfaqësuese, si dhe disa funksione logjike dhe të zakonshme të kreut të shtetit në fushën e mbrojtjes dhe diplomacisë, nuk sjellin shumë ndikim. Për këtë arsye, Milatoviçi tani është edhe më i kufizuar, domethënë i rrethuar brenda kufijve të zyrës së tij. Përpjekjet e tij të shpeshta për të ndërhyrë në pushtetin ekzekutiv ishin mjaft të dukshme dhe rrjedhimisht të dënuara me dështim edhe kur ai ishte nënkryetar i PES-së, por tani ai ka mbetur i vetëm me postin e tij dhe me një ekip këshilltarësh jo gjithmonë kompetentë.

Së treti, largimi i Milatoviçit nga PES-ja interpretohet (me të drejtë), si goditje nga jashtë, në radhë të parë nga Serbia, e cila nuk dëshiron të shohë përparim të dukshëm të Malit të Zi në kontekstin e integrimit evropian. “Optimizmi i porsalindur” i partnerëve evropianë për Malin e Zi dhe mundësinë e tij për t’u bërë vërtet anëtar i BE-së në të ardhmen e parashikueshme tingëllon mjaft keq në Beograd, si dhe në Moskë. Vështirësitë e biznesit të vëllait të Milatoviçit dhe partnerëve të tij të biznesit në Serbi i shtojnë kësaj historie edhe një tjetër, dhe shumë të pakëndshme si dimension, për një Milatoviç tashmë të dobët. Se sa do të dojë Aleksandar Vuçiçi dhe sa do të mundë të ndikojë në sjelljen e ardhshme të presidentit të Malit të Zi, do të bëhet e qartë shumë shpejt.

Në këtë ekuacion ekziston edhe një faktor i quajtur Andrija Mandiçi, për të cilin, ashtu si për shefin i tij, Vuçiçin, Milatoviçi përshtatet, me siguri më shumë, në cilësinë e presidentit pa ndikim të shtetit, sesa një lider i ndonjë partie të re, e cila do të konkurrojë me Demokracinë e Re Serbe të Mandiçit dhe koalicionin “Për të ardhmen e Malit të Zi”.

Së katërti, nga ana e Spajiçit, problemet kanë një karakter krejtësisht tjetër. Paaftësia politike, si nga mosnjohja e institucioneve dhe mjeteve kryesore politike, ashtu edhe nga mungesa e përvojës, është bërë prej kohësh tepër e dukshme për të gjithë. Duke marrë parasysh këtë, Spajiçi i dorëzoi shumë leva politike Andrija Mandiçit, domethënë Aleksandar Vuçiçit, dhe kjo vazhdoi deri në disa lëvizje dhe shpërthime (jo) diplomatike, të tilla si vizita e fundit “private” e Milorad Dodikut, për të cilën Ministria e Jashtme (nën drejtimin e Ivanoviçit), nuk reagoi. Pra, reagimi u vonua me 10 ditë. Spajiçi aktualisht po përpiqet ta mbushë këtë boshllëk me masa ekonomike (ose më mirë ta themi fjalën “ekonomike” në thonjëza), në të cilat vetëm një gjë është e dukshme dhe e qartë, borxhi i ri i vendit në shumën prej 650 milionë eurosh, (shuma kolosale për Malin e Zi), ose sipas të dhënave të vetë Spajiçit, 687 milionë euro, pasi ende nuk dihet shuma përfundimtare e kredisë së re shtetërore. Në qarqet diplomatike qarkulluan informacione se pas lëvizjeve të tilla “të guximshme” të kryeministrit qëndronin SHBA-ja, e cila është e gatshme në mënyrë shumë dashamirëse ta subvencionojnë qeverinë e Spajiçit me shuma të mëdha. Spajiçi bëri përpjekje të mëdha për të krijuar një përshtypje të tillë. Ky është, në të vërtetë, suksesi i tij më i madh politik deri tani.

Së fundi, së pesti, pikërisht falë kësaj kredie të re publike, u bë e qartë: ekziston një probabilitet i lartë që programi ekonomik i “Evropa Tani 2.0” të mos ekzistojë në të vërtetë. Ky është “guri në qafë” i Milojko Spajiçit, të cilit Sinisha Mali, bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiçit dhe ministër në atë kohë, i ka prezantuar dikur programin “Evropa Tani 1.0”. Hëpërhë nuk ka asnjë dokument të shkruar i cili përshkruan përmbajtjen e Programit numër 2. Nuk ka as ndonjë tregues se ai ka ekzistuar ndonjëherë si një projeksion i plotë ekonomik dhe financiar. Besueshmëria e politikës së Spajiçit do të “vihet në rendin e ditës” në një formë shumë brutale nëse dhe kur qytetarët malazezë s’do të marrin paga dhe pensione të rregullta. Blerja e vazhdueshme e stabilitetit social nëpërmjet akumulimit të kredive shtetërore ka gjithashtu edhe një datë skadimi.

Nga kjo analizë e shkurtër, rezulton se në finalen e procesit do të jenë negociatat për rindërtimin e paralajmëruar të qeverisë. Spajiçi do të duhet të përdorë të gjitha aftësitë në dispozicion për të mbijetuar politikisht në këtë proces. Me shumë gjasa, atij do t’i duhet të bëjë lëshime shtesë, të cilat thjesht do të dobësojnë pozicionin e tij edhe kështu të dobët.

Prandaj, përfitimin më të madh nga konflikti mes Milatoviçit dhe Spajiçit e ka pasur Andrija Mandiçi. Në kushtet e “afrimit të përshpejtuar të Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE”, ideja e “botës serbe” ka ende mundësi të mëdha për jetë.

Zvarritja dhe shtyrja e zhvillimeve konkrete pozitive në politikën malazeze, në pritje të fitores së Trampit në SHBA, po bëhen gjithnjë e më evidente si një segment qendror i taktikave politike të boshtit Mandiç-Vuçiç, si dhe kuratorëve të tyre nga Kremlini.

Një president i dobët dhe një kryeministër pa program në të ardhmen do të bëhen zyrtarisht vëzhgues të thjeshtë të ngjarjeve, për të cilat askush nuk do t’i pyesë më.

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” tregojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me pozicionin e Qendrës.

Miodrag Vllahoviq. Politikan dhe ish-diplomat malazez. Ministri i parë i Jashtëm i Malit të Zi. Ish ambasador i Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Islandë, Selinë e Shenjtë etj.