- Pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën e 9 majit në Moskë mund të ndalojë integrimin evropian të Serbisë
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbërriti në Moskë më 7 maj për të marrë pjesë në paradën e 9 majit. Udhëheqësi serb u detyrua të fluturonte duke kaluar Bullgarinë, Turqinë dhe Azerbajxhanin, pasi Letonia dhe Lituania e mbyllën hapësirën e tyre ajrore për aeroplanin e presidentit.
Në një deklaratë të bërë nga kryeqyteti rus, Vuçiq theksoi se, pavarësisht presionit, ai do ta përfaqësonte me krenari Serbinë në 80-vjetorin e fitores ndaj fashizmit.
“Dhjetëra milionë njerëz vdiqën që ne të mund të jetojmë sot. Ne nuk kemi të drejtë ta rishikruajmë historinë. Ne nuk kemi të drejtë, si një komb që ka vuajtur shumë, një komb që ka vuajtur si nga pushtuesit gjermano-nazistë ashtu edhe nga ndihmësit e nazistëve në rajon. … Jam krenar që jam President i Serbisë dhe që mund të marr pjesë në përkujtimin e luftës këtu kundër fashizmit sepse, nëse dikush ka të drejtë të jetë krenar për këtë luftë, ai është populli serb”, theksoi udhëheqësi serb. Vuçiq pranoi se priste pasoja për vendimin e tij për të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Moskë, duke shtuar se është gati të pranojë çdo “ndëshkim” nga Bashkimi Evropian.
“Unë jam këtu për të luftuar për popullin tim dhe vendin tim. Nuk më intereson fare se çfarë mendon ose thotë askush tjetër. Unë u zgjodha nga populli serb, unë u zgjodha nga qytetarët e Serbisë. Nuk u zgjodha në Riga, Talin, Vilnius apo diku tjetër”, Vuçiq u tha gazetarëve të Radios dhe Televizionit të Serbisë, duke folur nga Sheshi i Kuq i Moskës.
“I bëra një premtim Presidentit Putin, por kurrë nuk gënjeva për vizitën time”, tha udhëheqësi serb, duke shtuar se kishte folur hapur mbi planet e tij për të shkuar në Moskë më 9 maj. “Sa i përket Bashkimit Evropian, jam i sigurt se Serbia do të vazhdojë të ecë në rrugën evropiane. Nëse duan të ndëshkojnë dikë, le të më ndëshkojnë mua”, shtoi ai.
***
Në të njëjtën kohë, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, është i sigurt se vizita e Vuçiqit në Moskë po dëmton lëvizjen e mëtejshme të Serbisë drejt BE-së. Duke folur në një konferencë shtypi në Parlamentin Evropian, Picula tha se udhëheqja serbe pretendon se qëllimi i tyre është anëtarësimi në BE, që nënkupton përmbushjen e kritereve të kërkuara, por kjo nuk është e vërtetë, dhe se ka shumë deklarata të paqarta dhe kontradiktore që vijnë nga Beogradi, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. “Ne besojmë se kushdo që pretendon se vendi i tij është demokratik dhe ka aspirata demokratike dhe evropiane nuk mund të gjendet në një situatë ku është pjesëmarrës në paradën e Putinit në Sheshin e Kuq”, tha Pizula.
Ai theksoi se vizita në Moskë është “një aleancë e qartë me Presidentin Putin”, i cili “po abuzon datën e rëndësishme të fitores ndaj nazizmit për të përhapur narrativën e tij rreth zhvillimeve në Ukrainë”.
“Rruga drejt Moskës është një udhëkryq. … Presidenti Vuçiq u ka dhënë një përgjigje të qartë institucioneve të BE-së se Serbia në gjendjen e saj aktuale nuk është e aftë të ecë përpara në rrugën evropiane”, Picula u tha gazetarëve.
Sipas raportuesit, vizita e Vuçiqit “e bën tejet të vështirë për çdo politikan evropian që do ta zbusë perpektivën e situatës në Serbi”, pasi “bota serbe dhe ajo e BE-së nuk mund të jenë të njejta”.
“Nëse mbështesni Putinin, kjo u dërgon një sinjal të qartë demokracive të BE-së. Përparimi i mëtejshëm i Serbisë drejt BE-së do të jetë i pamundur”, theksoi eurodeputeti. Në të njëjtën kohë, sipas ligjvënësit, aktualisht është e vështirë të thuhet nëse integrimi evropian i Serbisë do të ndalet zyrtarisht apo thjesht do të vendoset në pauzë, “si në rastin e Gjeorgjisë dhe Turqisë”.
- Takimet e planifikuara të Vuçiqit me Trump u anuluan.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u sëmur papritur ndërsa ndodhej në Florida (SHBA). Raportime të tilla dolën në pasditen e 3 majit.
Sipas versionit zyrtar, Presidenti serb pati dhimbje të forta në gjoks dhe presion të lartë të gjakut. Ai kërkoi ndihmë mjekësore dhe, pas ekzaminimit, ndërpreu vizitën e tij për në SHBA dhe u rikthye në Serbi. Menjëherë pas mbërritjes në Beograd, Vuçiq u shtrua në Akademinë Ushtarake Mjekësore. Disa orë më vonë, ai u lirua nga spitali dhe më 7 maj, u rikthye në detyrë përpara se të fluturonte për në Moskë.
Më parë, mendohej se Presidenti serb do të takohej me disa zyrtarë të lartë të Partisë Republikane gjatë udhëtimit të tij në SHBA. Vetë Vuçiq foli për dy takime me Presidentin e SHBA-së Donald Trump gjatë disa eventeve të ndryshme. Megjithatë, presidenti serb arriti të fliste vetëm me ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudolph Giuliani.
Ish-diplomatë serbë, figura të opozitës dhe mediat rajonale deklaruan se vizita u ndërpre sepse u ekspozua një përpjekje e dështuar e Vuçiqit për të marrë pjesë në një takim të Komitetit Kombëtar Republikan dhe një darkë për donatorët, të organizuar nga ekipi i Trumpit në Mar-a-Lago. Sipas politikanëve dhe gazetarëve, presidenti serb kishte ndërmend të merrte pjesë privatisht në këtë event dhe ta shfrytëzonte këtë mundësi për të siguruar një takim jo-formal me presidentin amerikan, por thuhet se iu refuzua hyrja.
Më vonë, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha në një intervistë me Pavlović se kreu i stafit të Trumpit nuk e “pengoi” kurrë Presidentin Vuçiq të merrte pjesë në eventin në Mar-a-Lago, duke i hedhur poshtë raportet si “lajme të rreme”.
Sidoqoftë, takimet e deklaruara më parë me Trumpin dhe zyrtarë të tjerë të lartë nuk u zhvilluan.
Ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që Vuçiqi mund të kishte planifikuar të takohej së pari me presidentin e SHBA-së dhe më pas të shkonte në Moskë për Paradën e Fitores më 9 maj, duke demonstruar kështu qëllimin e tij për të ruajtur ekuilibrin gjeopolitik. Por me sa duket, ky plan i mundshëm dështoi.
- Studentët serbë kërkojnë shpërbërjen e parlamentit
Studentët nga të gjitha universitetet serbe që po marrin pjesë në protesta po kërkojnë shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare Serbe dhe po bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në deklaratën e tyre të postuar në mediat sociale, protestuesit u bënë gjithashtu thirrje të gjithë qytetarëve të mbështesin me anë të zgjedhjeve forcat politike të cilat aktivistët i besojnë.
“Ne besojmë se demokracia është e vetmja mënyrë e drejtë për të zgjidhur një krizë politike të një madhësie të tillë, prandaj i bëjmë thirrje popullit të mbështesë listën e forcave politike që kanë fituar besimin e studentëve që bllokojnë të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Serbi, në mënyrë që e vërteta të mbizotërojë në peshoren e drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Studentët kujtuan gjithashtu se për më shumë se pesë muaj, ata janë përpjekur intensivisht për të përdotur çdo mjet ligjor dhe paqësor për të arritur përmbushjen e kërkesave të tyre, por pavarësisht këtyre përpjekjeve, kjo nuk ndodhi dhe qeveria nuk tregon asnjë iniciativë për të arritur këtë qëllim. “Lëvizja studentore nisi protesta me një përhapje të paparë, duke treguar se zëri i të rinjve nuk është thjesht një gumëzhimë, por një forcë që mund të nxisë ndryshim, të rivendosë dinjitetin dhe të zgjojë shpresën për drejtësi dhe liri, dhe vërtetoi se sovraniteti i vendit tonë është në duart e popullit. Me një bindje të fortë në drejtësinë e kërkesave tona, ne deklarojmë se rrënjët e korrupsionit qeveritar kanë depërtuar shumë thellë në institucionet shtetërore, të cilat si rezultat nuk mund t’i përmbushin në mënyrë të pavarur detyrat e tyre”, thuhet në deklaratën e studentëve.
Siç dihet, kërkesat kryesore të studentëve që marrin pjesë në protesta përfshijnë publikimin e dokumenteve mbi rindërtimin e stacionit të trenit të Novi Sadit, nxjerrjen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për tragjedinë vdekjeprurëse atje, një hetim për dhunën ndaj protestuesve, fundin e shtypjes dhe rritjen e fondeve për arsimin. Studentët po kërkojnë gjithashtu një hetim zyrtar për përdorimin e dyshuar të armëve sonike kundër protestuesve në Beograd këtë mars.
Lideri i Partisë Progresive Serbe në pushtet, ish-kryeministri Millos Vuçeviq, i hodhi poshtë thirrjet për zgjedhje të parakohshme si “destruktive” dhe deklaroi se “zgjedhjet e parakoshme do të sillnin vetëm kaos”.
- Parlamenti Europian miraton raportet mbi integrimin europian të Serbisë dhe Kosovës
Në dy raportet e miratuara më 7 maj, eurodeputetët vlerësuan progresin e bërë nga Kosova dhe Serbia në përpjekjet e tyre për t’u bashkuar me Bashkimin Europian në vitin 2023 dhe 2024.
Kosova ka bërë përparim të dukshëm në reformat e saj zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, thonë eurodeputetët. Megjithatë, mbeten sfida në reformën gjyqësore, lirinë e mediave, efektivitetin e administratës publike dhe dixhitalizimin e shërbimeve publike. Raporti thekson se angazhimi i vazhdueshëm për reforma dhe qeverisje gjithëpërfshirëse është kyç në mënyrë që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt integrimit europian.
Eurodeputetët vërejnë se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit për fat të keq nuk ka dhënë rezultatet e pritura dhe u bëjnë thirrje të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë krijimin e një Asociacioni/Komuniteti të Komunave me shumicë serbe, dhe që Serbia të ndërpresë bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Eurodeputetët gjithashtu vërejnë se Kosova ka qenë shënjestër e ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave të dezinformimit, në veçanti nga Rusia dhe Kina, me qëllim destabilizimin e rajonit dhe minimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Parlamenti Evropian i bën thirrje qeverisë së Kosovës të forcojë kapacitetin e saj për t’u përballur me kërcënime të tilla.
- Raporti u miratua me 353 vota pro, 145 kundër dhe 78 abstenime.
Raportuesi Riho Terras (Partia Popullore Evropiane, Estoni) tha: “Është e qartë se procesi i integrimit të Kosovës ka nevojë për një shtysë të re – ne kemi nevojë për një kapitull të ri në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që të gjitha partitë kryesore në Kosovë mbështesin fuqimisht integrimin në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në një axhendë reformash, pasi çdo anëtarësim i ardhshëm duhet të bazohet në meritë.”
Raporti për Serbinë vëren se, pavarësisht njëfarë përparimi në negociata, Serbia ende ka pengesa të mëdha që duhet t’i kapërcejë. Eurodeputetët thonë se Beogradi duhet të përmirësojë dialogun e tij të brendshëm politik, të mbështesë ekzekutimin e ligjit, të zbatojë reforma kundër korrupsionit, të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe ta përafrojë plotësisht politikën e jashtme me atë të BE-së. Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve serbe të sigurojnë pavarësinë e institucioneve kryesore, duke përfshirë rregullatorët e medias, siç është Autoriteti Rregullator për Median Elektronike (REM). Beogradi gjithashtu duhet të zbatojë plotësisht të gjitha rekomandimet e pazgjidhura nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE/ODIHR) dhe organet e Këshillit të Evropës mbi reformën zgjedhore, përpara se të mbahen zgjedhje të reja.
Eurodeputetët kërkojnë një gjykim të plotë dhe transparent, si dhe një hetim zyrtar për shembjen e tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, si dhe një hetim të paanshëm për përdorimin e supozuar të “teknologjisë së kontrollit të rebelimeve të paligjshme” (i ashtuquajturi top sonik). Ndërsa dënojnë dhunën e vazhdueshme kundër studentëve, eurodeputetët janë gjithashtu shumë të shqetësuar për rritjen e presionit politik dhe financiar mbi mësuesit dhe profesorët e universiteteve që po mbështesin veprimet kolektive të studentëve. Raporti u miratua me 419 vota pro, 113 kundër dhe 88 abstenime.
Raportuesi Tonino Picula (Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, Kroaci) tha: “Kriza politike afatgjatë, e përkeqësuar nga mungesa e përparimit në kriteret themelore si korrupsioni, ekzekutimi i ligjit, liria e medias dhe reforma zgjedhore, po ndikon drejtpërdrejt në përparimin e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Për një kohë shumë të gjatë, Serbia është përpjekur të marrë fondet më të mira të BE-së, duke hedhur poshtë vlerat tona thelbësore dhe orientimin tonë gjeopolitik. Procesi i zgjerimit bazohet në meritë dhe përparimi i Serbisë mund të ketë një ndikim pozitiv në rajon.”
***
Reformat e ngadalta që lidhen me lirinë e medias dhe ekzekutimin e ligjit, si dhe mungesa e progresit në normalizimin e raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës, janë probleme të përbashkëta për Serbinë dhe Kosovën, të cilat po pengojnë integrimin e tyre evropian. Në të njëjtën kohë, mospërputhja e politikës së Beogradit me “vlerat thelbësore” dhe “orientimin gjeopolitik” të Bashkimit Evropian, me fjalë të tjera, politika e jashtme pro-ruse e autoriteteve serbe, është problem vetëm për Serbinë. Eurodeputetët theksuan se pa koordinimin e politikës së jashtme me BE-në, Serbia nuk do të jetë në gjendje të sigurojë përparim në rrugën drejt BE-së.
Edhe pse Raporti i miratuar nga Parlamenti Evropian nuk është një dokument ligjërisht i detyrueshëm, ndikimi i tij politik është i rëndësishëm.
- Bosnja e Hercegovina përballet me krizën më serioze që nga ajo e Dejtonit
Në një seancë të rregullt të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, paraqiti një raport mbi situatën në vend, duke paralajmëruar se Bosnja dhe Hercegovina po kalon krizën më të vështirë politike që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995.
Raporti mbulon periudhën nga 16 tetori 2024 deri më 15 prill 2025. Schmidt vlerësoi se periudha e mbuluar u shënua nga “një rritje e ndjeshme e tensioneve politike”, veçanërisht gjatë tremujorit të parë të vitit 2025.
Ai tërhoqi vëmendje të veçantë te veprimet e Presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, të cilin një gjykatë në shkurt e dënoi me 12 muaj burg dhe një ndalim gjashtëvjeçar për aktivitet politik për injorimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë. Sipas Përfaqësuesit të Lartë, që nga vendimi, Dodik ka intensifikuar retorikën e tij mbi shkëputjen e Republikës Srpska nga BeH, dhe Republika Srpska ka ndërmarrë një numër hapash legjislativë nën udhëheqjen e tij që minojnë rendin kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës. Përfaqësuesi i Lartë tha se njerëzit po e pyesnin gjithnjë e më shumë: “Z. Schmidt, a mund ta parandaloni një luftë tjetër?” Përgjigja e tij ishte e prerë: “Rreziku i luftës nuk ekziston.” “Kjo është një krizë e jashtëzakonshme – më e rënda që nga Dejtoni – por ende nuk shoh asnjë indikacion se është një krizë sigurie”, tha Përfaqësuesi i Lartë. “Populli i BeH mund të jetojë në harmoni. Komunitetet nuk mbështesin shkëputjet apo ekstremizmin. Keni shumë prova për këtë. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i ndihmojë këta njerëz dhe të tregojë se ata nuk janë harruar”, tha ai.
Menjëherë pasi Schmidt filloi të lexonte raportin e tij, ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, doli nga salla e seancave në shenjë proteste kundër Përfaqësuesit të Lartë. “Unë nuk e njoh legjitimitetin e Christian Schmidt si Përfaqësues të Lartë, pasi Këshilli i Sigurimit nuk e ka miratuar kurrë zyrtarisht atë. Ai mund të jetë i pranishëm vetëm si individ privat. Nuk dua t’i dëgjoj pikëpamjet e tij të njëanshme”, tha Nebenzia para se të largohej nga takimi.
- Kroacia do të ndajë 3% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2030
Kjo u njoftua nga Ministri Kroat i Mbrojtjes Ivan Anushiq, i cili mori pjesë në konferencën Defense24Days mbi mbrojtjen dhe sigurinë në Evropën Qendrore dhe Lindore në Varshavë.
Në fjalimin e tij në panelin e titulluar “Themelet e Reja të Sistemit të Mbrojtjes. Riarmatimi i Evropës si një Shans për Pavarësi të Armatosur”, ministri theksoi rolin e Kroacisë në Evropën Juglindore, duke e përshkruar rajonin si potencialisht të rrezikshëm. Stabiliteti i Evropës Juglindore është një përparësi për Kroacinë, theksoi Anushiq.
“Kroacia ka përvojën e Luftës Patriotike, të cilën nuk duam ta përsërisim. Qëllimi ynë është një mjedis i qëndrueshëm dhe i sigurt, që do të thotë paqe dhe siguri në Evropën Juglindore”, theksoi ai.
Sipas ministrit kroat, agresioni rus mund të mos përfundojë në Ukrainë. Sipas tij, situata aktuale ndërkombëtare është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe nuk ka kohë për reflektim më të thellë. “Ne jemi në një garë me kohën dhe jemi përgjegjës për sigurinë e vendeve dhe popujve tanë, kështu që duhet të përshpejtojmë procesin e armatimit”, tha Anushiq.
Ai theksoi se qeveria kroate kishte vendosur të rriste fondet për forcat e saj të armatosura në vitet e fundit, në veçanti duke ndarë fonde të konsiderueshme për modernizimin e ushtrisë, duke përfshirë edhe blerjet nga Franca (avionë luftarakë Rafale) dhe Turqia (dronë Bayraktar). Vëmendje po i kushtohet edhe zhvillimit të aftësive të mbrojtjes ajrore në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Sipas ministrit, shpenzimet e mbrojtjes së Kroacisë kanë arritur tashmë në “dy përqind të PBB-së” dhe deri në vitin 2030, Kroacia “do të ndajë tre përqind të PBB-së”.
Ai shtoi se do të donte që Kroacia të lëvizte drejt zhvillimit të industrisë së vet të armëve dhe të mbështetej në përvojën e Polonisë në këtë drejtim. “Kroacia e sheh Poloninë, me të cilën kemi marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, si një aleat dhe partner të shkëlqyer me të cilin mund të zhvillojmë projekte të përbashkëta kur bëhet fjalë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, vuri në dukje Anushiq.
Temat kryesore të panelit përfshinin situatën e sigurisë në Evropë që nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, përpjekjet e vendeve për të modernizuar forcat e tyre të armatosura dhe planin ReArm Europe.
Në mars, Komisioni Evropian njoftoi planin ReArm Europe, i cili parashikon një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes me 1.5 përqind të PBB-së vjetore të shteteve anëtare. Ministri kroat i Mbrojtjes theksoi se plani “nuk duhet të mbetet vetëm një histori e mirë, por të bëhet një projekt konkret për krijimin e pavarësisë evropiane në fushën e sigurisë”.
Nuk përjashtohet që në të ardhmen, bashkëpunimi midis Zagrebit dhe Varshavës në fushën ushtarake mund të bëhet bazë për një bashkim mbrojtës në rajonin e Tre Deteve.