Presidenti Jakov Milatoviç vazhdon të lëshojë rreze optimizmi për mundësitë e Malit të Zi për t’u bërë anëtar i BE-së në një të ardhme shumë të afërt. Deklaratat e tij në Konferencën e Sigurisë së Munihut ishin ndër më “të roza” e kohëve të fundit: Mali i Zi do të bëhet pjesë e Unionit në vitin 2028!
Nuk mbetet shumë pas as kryeministri, Milojko Spajiç, me fjalorin e tij “teknokratik”, privuar nga formulime elementare politike dhe cenime në tema që shkaktojnë mosmarrëveshje dhe konflikte. Ai po përpiqet të promovojë një platformë njëdimensionale financiaro- ekonomike të agjendës evropiane të Malit të Zi. Spajiçi nuk sheh probleme në sferën politike, sociale dhe kulturore; domethënë, ai nuk dëshiron të bëjë deklarata për këto tema.
Në të njëjtën kohë, ai pohon se qeveria e tij, vetëm në tre muaj, ka arritur rezultate të lakmueshme, madje edhe në fushën e sigurisë, si dhe në zbutjen e tensioneve dhe në aspektin e “pajtimit” politik (kombëtar). Të thuash se deklarata të tilla nuk përputhen me të vërtetën do të ishte mjaft e butë. Sidoqoftë, e gjitha kjo shqetëson shumë vetë Spajiçin…
Shkaqet e dobësisë (publike) së Spajiçit gjenden lehtësisht në radhët e partive të përfshira në kabinetin e tij dhe, aq më tepër, në mesin e liderëve politikë të shumicës parlamentare, e cila, në të vërtetë, zgjodhi qeverinë e tij. Edhe aty, të gjitha, përveç njërit, dhe janë strukturat politike pro-serbe dhe pro-ruse, publikisht entuziaste dhe shumë të gatshme për të mbështetur retorikisht “rrugën e Malit të Zi drejt BE-së”.
Tingëllon mirë dhe nuk kushton shumë. Domethënë, nuk kushton asgjë.
Strukturat diplomatike të vendeve anëtare të BE-së, gradualisht po hyjnë në një gjendje të optimizmit zyrtar. Në një reagim të përgjithshëm, dhe të justifikuar, për faktin se kreu i Kuvendit, që mban edhe titullin princi çetnik, Andrija Mandiç, gjatë një takimi me ambasadoren e BE-së në Mal të Zi, rumunen Oana Kristina Popa, ngriti flamurin serb (një ngjarje e cila, mbase, do të ketë pasoja juridike), u harrua detaji më i rëndësishëm i atij takimi: për çfarë u zhvillua në të vërtetë?
Dyshimet, nëse ishin të tilla, pse diplomacia e BE-së pranon aq shpejt ta konsiderojë Mandiçin si të vlefshëm për negociatat dhe çështjet e agjendës evropiane, i merr era shpejt: pak kohë më parë, Mandiçi vizitoi Parlamentin Evropian. Bisedat ishin të përmbajtura dhe dukshëm protokollare, por këto biseda u realizuan. Pa dyshim, ky ishte një sukses politik për Mandiçin. Pyetje tjetër, nëse kjo ka të bëjë me politikën konkrete pro-evropiane të Malit të Zi: a është kjo arsyeja pse Mali i Zi bëhet më i afërt me Evropën?
Në vend që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve retorike, që s’mund të fshehin mungesën e ideve dhe kotësinë e politikave të promovuara nga Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Marrëdhëniet e Mira të Fqinjësisë, Oliver Vargeli në katër vitet e fundit, le të shqyrtojmë shkurtimisht situatën me agjendën evropiane të Malit të Zi, si brenda/në nivel rajonal, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar/evropian.
Së pari, pa dyshim, koalicioni qeverisës (duke marrë parasysh pritshmëritë se pas pak muajsh partitë pro-ruse të ish-Frontit Demokratik do t’i bashkohen pushtetit ekzekutiv), është prerazi evropian, në nivelin e retorikës e të deklaratave zyrtare.
Përbërja dhe orientimet e kabinetit, si dhe politika e realizuar në nivel të brendshëm, nga siguria deri te kultura dhe mediet, karakterizohen nga regresioni dhe kthimi në modele dhe praktika që bien ndesh me standardet evropiane. Procese politike dhe akuzat kundër gazetarëve për “krimin e bindjeve” janë bërë dukuri e përditshme, ndërsa, nga ana tjetër, pamfletet nacional-shoviniste dhe lajmet ksenofobike në masmedia, të kontrolluara nga shërbimet serbo-ruse dhe kisha, mbeten pa reagimin e prokurorisë.
Së dyti, nga pikëpamja e organizimit dhe e mbështetjes financiaro-teknike, qeveria krijoi (rithemeloi) Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe zgjodhi Kryenegociatorin e ri. Nga të dyja anët, mund të dëgjohen deklarata për të cilat, në nivelin formal dhe logjik, nuk ia vlen të ankohesh, por frenimet dhe mospërputhjet midis deklaratave publike dhe progresit konkret nuk janë një fenomen i ri për Malin e Zi; shembuj të tillë kishte mjaftueshëm edhe para gushtit të 2020-s.
Nuk mund të mohohet arritja e shumicës së re parlamentare për faktin që, më në fund, u zgjodh Prokurori i Lartë. Por, nga ana tjetër, lufta e ashpër politike brenda koalicionit qeverisës në lidhje me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe gjithë sektorin e sigurisë, si dhe përzgjedhja dhe arbitrariteti i organizatës prokuroriale, duke përfshirë edhe Prokurorinë Speciale të Shtetit, tregojnë se një nivel i problemit qëndron në përzgjedhjen e ekzekutuesve të rinj të këtyre funksioneve të rëndësishme shtetërore, dhe një problem krejtësisht tjetër është organizimi i punës së tyre të paanshme dhe ligjore në përputhje me kriteret dhe standardet evropiane.
E treta është një situatë që partnerët evropianë, për fat të keq, nuk e marrin mjaftueshëm seriozisht dhe nuk e trajtojnë me vëmendjen e duhur: marrëdhëniet me Serbinë, domethënë ndikimi i Serbisë dhe kishës së saj, shërbimet e sigurisë dhe masmedia në Mal të Zi. Për qëllime të kësaj analize të shkurtër, duhet përsëritur diçka evidente: Serbia nuk është e interesuar që Mali i Zi të marshojë drejt BE-së. Pjesëmarrësit e shumtë në ndikimin serb në Mal të Zi sigurisht që e marrin seriozisht këtë. Prandaj, zyrtarët në Podgoricë janë shumë inertë dhe të rezervuar kur bëhet fjalë për përgjigjen politike dhe të sigurisë ndaj ndikimit keqdashës nga Serbia që, natyrisht, nuk mund të veçohet nga puna e minimit që buron nga vetë Kremlini.
Prandaj, agjenda evropiane e Malit të Zi është e kufizuar nga shumë pluse – minuse të dukshme; “vija të kuqe” që kanë të bëjnë me skenën e brendshme politike, me shërbimet e sigurisë, me diplomacinë dhe masmedian…
Retorika evropiane është e lejuar, por praktikat evropiane janë të dyshimta dhe problematike.
Së fundi, e katërta, situata në vetë BE-në, për ta thënë në mënyrë më pak të dhimbshme, nuk është aspak ideale. Ka shumë entuziazëm dhe premtime për Malin e Zi (si për pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor), por lodhja dhe tendencat kontradiktore brenda vetë BE-së janë gjithashtu të dukshme. Nëse kësaj i shtohen edhe zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, gjithçka bëhet edhe më e pasigurt. Kush dhe si do ta formojë Komisionin e ri Evropian? Kush do të jetë Vargeli i ri? Pra, kush do të jetë komisioneri i ri që nuk do t’i ngjajë Varghelit, nëse qëllimi i vërtetë është zgjerimi i BE-së dhe jo ndonjë version/platformë e re antievropiane e të ashtuquajturit “Ballkani i Hapur”?
Nëse kësaj i shtojmë tragjedinë historike të agresionit kriminal rus kundër Ukrainës, nga njëra anë, dhe skenarin e rrezikshëm sipas të cilit do të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA Donald Trump, Bashkimi Evropian ka në agjendën e tij, pa përmendur sfidat dhe problemet e tjera, një listë të gjatë çështjesh të përparësive të mundimshme, prandaj, për shembull, tema e organizimit të referendumeve kombëtare për anëtarësimin e Malit të Zi si anëtar i ri i BE-së do të jetë shumë e vështirë për t’u vendosur në krye të çështjeve “të rëndësishme” evropiane.
Kjo na bën të dalim në përfundimin se: partia në pushtet në Mal të Zi është një parti e quajtur “Evropa tani!”. Ajo është në një koalicion me partitë pro-serbe/pro-ruse, interesi i të cilave për BE-në, Perëndimin dhe vlerat perëndimore, dhe veçanërisht për NATO-n, është në rastin më të mirë në nivelin e një retorike të rreme dhe boshe. Në të njëjtën kohë, partitë dhe lëvizjet e vërteta pro-evropiane, sektori shoqëror dhe individët që besojnë vërtet në domosdoshmërinë dhe mundësinë që Mali i Zi të bëhet pjesë e familjes së kombeve dhe shteteve evropiane, janë në opozitë.
Partia “pro-evropiane”, “Evropa tani!”, nuk sheh partnerë për agjendën evropiane në opozitën pro-evropiane. A mund të jetë kjo logjike, si për Podgoricën, ashtu edhe për Brukselin?