Protestat e opozitës dhe aktivistëve të shoqërisë civile kundër falsifikimeve zgjedhore të organizuara, sipas tyre, nga qeveria, duhet të mbeteshin në tërësi pjesë e jetës politike të brendshme të Serbisë, një komponent i debatit brenda kufijve të shtetit dhe një faktor në transformimin e nevojshëm të vendit drejt rrugës së tij të integrimit evropian. Asgjë revolucionare.
Si synim kryesor i deklaruar i pjesëmarrësve të protestës, u shpallën zgjedhje të drejta, të ndershme, pa manipulime dhe “vjedhje” votash, diçka që është vetëm një përsëritje e kërkesave më në zë, të cilat edhe pa të, janë të detyrueshme për një vend i cili po anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Aksionet e protestës në kryeqytet, të cilat nisën pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, u përqendruan në shkelje konkrete gjatë procesit të votimit (të lidhura kryesisht me prurjen e votueseve nga Republika Srpska, domethënë nga Bosnja dhe Hercegovina fqinje) në Beograd dhe nuk i kanë bërë thirrje ndaj rrëzimit me dhunë qeverisë aktuale.
Trendin e përgjithshëm të protestave nuk e ndryshuan as incidentet që ndodhën më 24 dhjetor para Skupshtinës së Beogradit: përplasja e protestueseve me oficerët e rendit gjatë përpjekjes së një grupi njerëzish për të hyrë në godinë. Opozita u distancua menjëherë nga ata që thyen xhamat në bashkinë e Beogradit, madje njoftoi për infiltrimin e provokatorëve nga qeveria. Radikalizmin e protestave nuk e kanë mbështetur as politikanët e opozitës, as aktivistët civilë, as diplomatë perëndimorë.
Megjithatë, qeveritarët serbë prapë së prapë e perceptuan incidentin lokal dhe protestat në tërësi si një përpjekje të para-planifikuar për të rrëzuar qeverinë/destabilizuar Serbinë, pas të cilave “gjenden” qendrat e huaja (perëndimore) të ndikimit.
Milos Vuçeviçi, kreu i Partisë Progresive Serbe në pushtet, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, në intervistën e tij të Vitit të Ri në kanalin televiziv pro-qeveritar Pink.rs, deklaroi: “Do të ishte naive të mendohej se këto janë protesta spontane, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me asnjë shërbim të jashtëm. Fjalimet turbulluese të opozitës drejtohen kundër shtetit dhe jo kundër qeverisë… Ne dimë si të ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë, dimë si ta mbrojmë vendin dhe do ta bëjmë këtë”.
Për të mos pasur iluzione për të cilat “shërbime speciale të huaja” i referohet zyrtarit qeveritar serb, duhet të kujtojmë se çfarë kanë thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçi dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiqi për ndikimin e shërbimeve speciale të huaja ndaj protestës.
Kreu i qeverisë serbe, pas incidenteve në Skupshtina në Beograd, deklaroi se: “Sot pasdite, e ndiej veçanërisht të rëndësishme për të folur publikisht në mbrojtje të Serbisë dhe për të falënderuar shërbimet ruse të sigurisë që e kishin dhe e ndanë me ne këtë informacion “.
Një ditë pas përplasjeve pranë bashkisë së kryeqytetit, presidenti i Serbisë u takua me ambasadorin e Federatës Ruse në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko. Pas takimit, Vuçiçi njoftoi se e kishte informuar diplomatin rus për trazirat në kryeqytet dhe theksoi se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe të Serbisë.
Në të njëjtën kohë, Botsan-Kharchenko deklaroi se presidenti serb, në bisedën me të, pohoi se Perëndimi qëndronte pas trazirave në kryeqytetin serb. “Duke kuptuar se edhe në Beograd planet nuk u realizuan në mënyrë të qetë, paqësorë, opozita nisi menjëherë protestat, të cilat inkurajohen dhe mbështeten nga jashtë. …ashtu është dhe për këtë foli edhe Vuçiçi. Këtu nuk mund dhe nuk do të hyj në detaje, sepse kjo është një bisedë konfidenciale dhe informacion i besuar, por ai ka të dhëna të pamohueshme se nxitja dhe mbështetja vjen nga Perëndimi”, tha ai për mediet ruse.
Kjo deklaratë nuk u përgënjeshtrua zyrtarisht nga Beogradi.
Duhet theksuar se shoqëria serbe ishte tashmë e përgatitur pikërisht për këtë lloj qëndrimi të lëvizjes protestuese. Narrativa se çdo veprimtari civile opozitare ndaj pushtetit aktual është “manifestim i komplotit të Perëndimit kundër Serbisë” u promovua me kohë edhe para zgjedhjeve, në hapësirën publike serbe.
Në maj të vitit 2023, pas dy vrasjesh masive të fëmijëve dhe të rinjve në Beograd dhe në fshatrat përreth kryeqytetit, në vend filluan protestat nën sloganin “Serbia kundër dhunës”. Kjo lëvizje u shndërrua më vonë në një bllok politik, i cili mori pjesë në zgjedhje dhe zuri vendin e dytë pas partisë në pushtet. Edhe atëherë, Aleksandar Vuçiçi deklaronte se nuk bëhej fjalë për një protestë qytetare kundër politikave të qeverisë, e cila nuk parandaloi pushkatime masive, por për përgatitjen e një “revolucioni me ngjyra”, domethënë për një plan për të përmbysur me dhunë qeverinë, sepse pikërisht në këtë mënyrë e interpretojnë në Beograd (dhe në Moskë), këtë term. Në forumin e Partisë Progresive Serbe, presidenti njoftoi se kishte marrë informacion për këtë nga shërbimet speciale “të afërta” nga “Lindja”. “Unë marr informacion nga shërbime të ndryshme. Shërbimet e afërta me ne nga Lindja thonë se këto janë përpjekje për revolucione me ngjyra”, u shpreh ai.
Për të gjithë ata që ndjekin ngjarjet në nivelet më të larta të qeverisë serbe, është e qartë se nga cilat kanale ka mbërritur ky sinjal deri te kreu i shtetit. Në fund të fundit, Aleksandar Vulin, drejtori i atëhershëm i shërbimit special serb – Agjencia e Sigurisë Informative (BIA), ish-ministër i Mbrojtjes dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme, kurrë nuk i ka fshehur lidhjet e tij të ngushta me kolegët e tij nga Rusia.
Ja si shkruan për të botimi rus “Kommersant”: “Aleksandar Vulini është kurdisur fuqishëm kundër Perëndimit dhe është prerazi pro-rus. Vitet e fundit e ka vizituar Rusinë më shumë se një herë, ku përherë takohej me Sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushevin”.
Një shembull i bashkëpunimit të tyre: në vitin 2021, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë përgjonte figurat e opozitës ruse në Beograd, të cilët organizuan një seminar për deputetët e komunave nga Federata Ruse në kryeqytetin e Serbisë. Pas ngjarjes, kreu i atëhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Vulini, erdhi në Moskë dhe ia dorëzoi shënimet Patrushevit. Disa muaj më pas, kolegët e shërbimeve speciale u takuan përsëri në kryeqytetin rus dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit midis Rusisë dhe Serbisë për të luftuar “revolucionet me ngjyra”. Sipas medieve serbe, atëherë, “në fshehtësinë më të rreptë“, një grup i përbashkët pune ruso-serb u krijua për të parandaluar demonstratat masive dhe për të monitoruar aktivistët e opozitës, organizatat joqeveritare dhe gazetarët e pavarur. Pala ruse, gjoja, ka marrë përsipër t’i transferojë palës serbe “të gjitha njohuritë” për luftën kundër rezistencës në rrjete dhe protestave në rrugë.
Në maj të viti 2023, në sfondin e fillimit të aksionit protestues “Serbia kundër dhunës”, Vulini vizitoi përsëri Moskën. Arsyeja zyrtare e udhëtimit ishte pjesëmarrja e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë të mbajtur në kryeqytetin e Rusisë.
Në korrik të të njëjtit vit, kreu i BIA-s u vu nën sanksionet e SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar transnacional, operacione të paligjshme të lidhura me drogën dhe shpërdorim me funksionin zyrtar”. Për më tepër, u pretendua se ai, “përmes shpërdorimit të detyrës” i ofroi Rusisë “një platformë për veprime dashakeqe” për të rritur ndikimin në rajon.
Në nëntor, një muaj e gjysmë para zgjedhjeve, Vulini dha dorëheqjen. Duke komentuar lëvizjen e tij, ai doli me një manifest të tërë politik, i cili, në veçanti, përfshinte këto fjalë: “SHBA-ja dhe BE-ja duan kokën time…”
Pas shkarkimit të Vulinit, në BIA nuk ka pasur reforma rrënjësore apo perturbacione te nëpunësit, ushtruesi i detyrës së drejtorit aktual konsiderohet si një person i shkollës së vjetër, prandaj, ndoshta, Shërbimi Special Serb, duke vazhduar punën sipas planeve të mëparshme të punës dhe me partnerët e zakonshëm, i dha lidershipit shtetëror një raport informues mbi “një përpjekje nga Perëndimi për të organizuar një revolucion me ngjyra”.
Përveç bashkëpunimit të inteligjencës, një përbërës i rëndësishëm i operacionit special hibrid, i cili synonte të promovonte idenë e një komploti midis Perëndimit dhe opozitës, me qëllim rrëzimi, gjoja, të qeverisë në Serbi, u bë sistemi ekzistues i propagandës ruse.
Ja, një nga shembujt!
Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të dhjetorit, në Serbi u krijua një iniciativë civile ProGlas, e themeluar nga intelektualë dhe figura publike jopartiake serbe: shkencëtarë, mësues, juristë, aktorë. Grupimi bëri thirrje për ndryshime në politikën serbe, duke pretenduar se qeveria e drejtuar nga Aleksandar Vuçiçi dhe Partia Progresive Serbe duhet të ndryshojnë në mënyrë që Serbia të bëhet një vend tjetër. ProGlas-i nuk bëri fushatë për asnjë nga blloqet zgjedhore opozitare, duke dalë si një lëvizje jopartiake pro ndryshimeve demokratike përmes zgjedhjeve të ndershme.
Apeli, i publikuar në faqen e internetit të nismës deri në ditën e zgjedhjeve, më 17 dhjetor 2023 (mbi 6 500 000 votues në Serbi), u nënshkrua nga më shumë se 190 950 qytetarë.
Në fillim të dhjetorit, edicioni serb i medies shtetërore të propagandës ruse, RT Balkan, bëri publik një “hetim” për “lidhjet e supozuara” midis ProGlas-it dhe Perëndimit. “Hetuesit” e lidhën iniciativën fillimisht me “Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë” në Beograd, pastaj me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në këtë adresë, për me tepër, edhe me donatorët perëndimorë të këtyre organizatave dhe më vonë nxorën aludime se kush mund të qëndrojë pas atyre donatorëve. Në këtë mënyrë “u gjet” se kush qëndronte “pas” aktiviteteve të ProGlas-it; qeveri të ndryshme perëndimore, Komisioni Evropian, Sorosi, deri te… CIA (shërbim sekret perëndimor!).
Hetimet e RT-së, të botuara më 6 dhjetor, 11 ditë para ditës së votimit, në ditët në vijim qarkulluan gjerësisht nëpër mediet serbe, duke përfshirë tabloidet si Informer, por edhe, gjoja, të respektuarit B92 dhe “Politika”, e cila pozicionohet si “një gazetë e përditshme më e vjetër dhe më me ndikim në këtë pjesë të Evropës”.
Është e qartë se të gjitha deklaratat paszgjedhore të presidentit, kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të Serbisë për praninë gjoja të dukshme të ndikimit perëndimor në protestat e opozitës në Beograd, transmetoheshin tashmë për një audiencë të parapërgatitur. Lidershipi serb as që duhej të shpjegonte se kush saktësisht i “organizoi” aksionet protestuese, mjaftonte të përmendte ndikimin ehuaj. Qytetarët që ndoqën/dëgjuan/lexuan fjalimet e Vuçiçit dhe mediet ruse apo proqeveritare lokale, në mënyrë të pritshme “kuptuan” gjithçka. Pas deklaratave të reja të liderëve të shtetit dhe qeverisë, serbët thjesht morën një konfirmim zyrtar dhe përditësimin e dyshimeve të transmetuara më parë.
Është e qartë se qeveria aktuale serbe artikulon mjaft mirë: Beogradi qëndron pranë Moskës, qeveria serbe mbështetet në përkrahjen e Kremlinit. Është e dukshme se në Uashington dhe në Bruksel po përpiqen të mos e marrin parasysh këtë, ndoshta ende duke shpresuar se bashkëpunimi me ekipin e Vuçiçit, për hir të së ardhmes evropiane të Serbisë, është ende i mundur. Por është gjithashtu e qartë se falë ndikimit hibrid rus, ndaj të cilit në Beograd askush nuk mund ose nuk do ta kundërshtojë me efikasitet, dhe falë qëndrimit të vetëdijshëm pro Kremlinit të qeverisë aktuale serbe, niveli i ndjenjave antiperëndimore në Serbi vetëm do të rritet. Megjithatë, ironia e situatës është se askush nuk mund të jetë i sigurt, se në një etapë të caktuar të këtij lundrimi serb drejt Moskës, as vetë Vuçiçi nuk do të nisë të perceptohet nga një shoqëri e edukuar nga propaganda ruse si “agjent i Perëndimit” .