Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në lidhje me Srebrenicën pritej të ishte thjesht një akt humanitar i nderimit të viktimave të këtij krimit në prag të 30 vjetorit të tragjedisë. Natyrisht, supozohej se bota duhet të përgatitej për të shënuar përvjetorin e trishtë me dinjitet dhe mirëkuptim të thellë. Prandaj, u theksuan fushatat informative dhe programet edukative. Por hartimi i Rezolutës, diskutimi i saj dhe, në fund, shqyrtimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së shkoi përtej qëllimit të një projekti të thjeshtë humanitar, duke u kthyer në një debat gjeopolitik dhe një ngjarje fatale për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Asgjë e re
Mund të krijohet përshtypja se pakkush mund ta kishte parashikuar një nivel kaq të lartë tensioni rreth Rezolutës dhe drejtimit në të cilin filloi të çonte diskutimi i çështjes së Srebrenicës, pavarësisht nga fakti se shumica absolute e liderëve aktualë serbë në rajon nuk e kanë fshehur kurrë qëndrimin e tyre të vërtetë ndaj ngjarjeve tragjike të luftës në Bosnje.
Le të shqyrtojmë një episod të fundit – verdiktin kundër Komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiç, i cili u dënua nga Gjykata e Hagës, mni të tjera përfshirë edhe për gjenocidin në Srebrenicë.
Në nëntor 2017, pas vendimit të Mlladiçit, Milorad Dodik, President i Republikës Srpska, tha: “Ky vendim është një shuplakë në fytyrë për popullin serb”, duke shtuar se serbët nuk mund të besojnë më në objektivitetin ndërkombëtar. Gjenerali Ratko Mlladiç mbetet një hero për popullin serb dhe kjo përshtypje vetëm sa do të forcohet, vuri në dukje ai.
Tre vjet e gjysmë më vonë, në qershor 2021, Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Gjykatat Penale në Hagë mbështeti vendimin e shkallës së parë të vitit 2017. Ratko Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm, në veçanti për gjenocidin e boshnjakëve myslimanë në Srebrenicë në korrik 1995.
Dodik, në atë kohë një anëtar serb i Presidiumit të BeH-së, e quajti gjykimin një “farsë”, duke shtuar se gjykata në Hagë vazhdon t’i “satanizojë” serbët.
Zheljka Cvijanoviq, presidentja e atëhershme e Republikës Srpska, e quajti gjykatën një “Inkuizicioni i Hagës”, duke vënë në dukje se ky organ “humbi prej kohësh edhe shenjat e fundit të besimit”. Sipas saj, me miratimin e një vendimi kundër gjeneralit Mlladiq, ai “konfirmoi edhe një herë rolin e gjykatës antiserbe, e cila përcakton përgjegjësinë për krimet e luftës jo në bazë të provave, por në bazë të kombësisë”.
Domethënë, qëndrimi i liderëve të serbëve të Bosnjës në lidhje me krimet e luftës dhe kriminelët u artikulua qartë dhe pa mëdyshje – mosbesimi ndaj drejtësisë ndërkombëtare, bindja se akuzat ndaj serbëve janë të ekzagjeruara ose krejtësisht të pabaza, ndërkohë që akuza të tilla janë qartësisht të pamjaftueshme ndaj të gjithë atyre që serbët luftuan në fillim të viteve 1990.
Këtë qëndrim e ka përkrahur publikisht edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në qershor 2021, ku u prezantua raporti i Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Gjykatat Penale në Hagë, Vuçiq pyeti: “Po në lidhje me krimet kundër popullatës civile serbe në BiH? A nuk ishte e interesuar gjykata për këtë?”
Aktiviteti i Beogradit, i cili kohët e fundit ngriti një fushatë ndërkombëtare kundër Rezolutës, shënoi kulmin e këtij qëndrimi të vjetër të ndjekur historikisht nga udhëheqësit serbë.
Rezistencë e papritur
Është e qartë se nismëtarët e Rezolutës (kryesisht Gjermania) nuk kanë parashikuar që dokumenti, i cili nuk është akt juridik dhe as nuk deklaron ndonjë gjë që nuk është miratuar më parë në gjykatat ndërkombëtare, do të shkaktonte një indinjatë kaq të fuqishme mes serbëve. Bashkautorët e draftit ka të ngjarë të shpresonin se rezoluta do t’i jepte Serbisë (dhe Republikës Srpska) një shans për t’u pajtuar me realitetin se gjenocidi kundër boshnjakëve muslimanë është tashmë një fakt i njohur globalisht. Për më tepër, autorët e krimit tashmë janë dënuar dhe përgjegjësia kolektive për gjenocidin nuk vihet më në diskutim – dhe për të theksuar më tej këtë tezë, u shtua amendamenti malazez.
Kështu e shpjegoi qëndrimin e saj përfaqësuesja e Gjermanisë në OKB: “Iniciativa jonë ka të bëjë me nderimin e kujtimit të viktimave dhe mbështetjen e të mbijetuarve (…) Duke caktuar 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, ne jemi të përkushtuar që ta mbyllim këtë boshllëk në kujtesën e institucionalizuar të kësaj organizate (…) Si dhe përmban terma kundër mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të autorëve (…) Për këtë arsye janë përhapur pretendime të rrema për këtë rezolutë. Kjo rezolutë nuk është e drejtuar kundër askujt – jo kundër Serbisë, një anëtare e çmuar e kësaj organizate, por ajo është e drejtuar kundër autorëve të gjenocidit (…). për të përfshirë amendamentet e propozuara në tekst, edhe pasi propozimi i Malit të Zi ishte paraqitur, sqaron se përgjegjësia penale sipas ligjit ndërkombëtar për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet në tërësi asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër.”
Perceptimi fillestar i Rezolutës për Srebrenicën nga serbët, siç kujtojmë, ishte krejtësisht i ndryshëm. Zyrtarët e rangut të lartë serbë folën për një përpjekje për të stigmatizuar serbët, për t’ju “vënë një etiketë në ballë”, për t’i cilësuar ata si “komb gjenocidal” ose thjesht “të këqinjtë”. Këto do të ishin “pasojat katastrofike” për popullin serb në përgjithësi që autoritetet serbe shpjeguan në fushatën e tyre aktive kundër miratimit të Rezolutës, megjithëse bashkëautorët e draftit i kishin mohuar me vendosmëri akuzat e tilla.
Pra, kush fitoi në OKB?
Reagimi i liderëve serbë ndaj miratimit të Rezolutës ishte gjithashtu i papritur.
Siç dihet, 84 vende votuan për Rezolutën për Srebrenicën në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 19 votuan kundër, duke përfshirë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së Rusinë dhe Kinën, 68 vende të tjera abstenuan dhe 22 nuk votuan fare. Rezoluta kaloi. Por Beogradi dhe Banja Luka deklaruan unanimisht se votimi shënoi një fitore morale për Serbinë dhe disfatën e nismëtarëve të dokumentit (disfata e Perëndimit, siç theksohet nga mediat serbe).
Në fjalimin e tij pas votimit, Vuçiq theksoi: “Në fund, rezultati është ky – 84 vende votuan për rezolutën, dhe 87 vende nuk votuan për atë; në çdo parlament kombëtar kjo nismë do të kishte dështuar. ky është i vetmi vend në botë ku ka kaluar”.
Kryeministri serb Milos Vuçeviq tha se, megjithëse rezoluta për Srebrenicën u miratua zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ajo në thelb ishte një fiasko.
Dodik shkroi në X: “Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nuk mundën as të fitonin shumicën, që do të thotë se rezoluta për Srebrenicën dështoi. Gati 110 vende nuk votuan, qëndruan kundër ose abstenuan. Ky është një dështim i Rezolutës, që do të thotë se OKB-ja nuk e mbështeti vërtet atë. Plani i tyre për tu imponuar gjenocidin dhe skualifikimin moral ndaj serbëve dështoi.
Kryetarja e Kuvendit Popullor të Serbisë, Ana Brnabiq, theksoi: “Më shumë se dy të tretat e botës nuk votuan për rezolutën”, “madje edhe ato vende që abstenuan deklaruan qartë se nuk e mbështesin rezolutën” dhe ” ky është një rezultat i madh i punës së bërë nga presidenti dhe diplomacia jonë”.
Gazetat serbe postuan tituj të ngjashëm: “Më shumë se gjysma e botës nuk votoi kundër Serbisë”, “Dy të tretat e botës qëndrojnë kundër rezolutës”, “Bota qëndroi në krah të Serbisë!”, “Fitore morale” (për Serbinë), “Humbja e Perëndimit”…
Strategjia e nivelimit
Duke pasur parasysh këtë interpretim specifik të rezultateve të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka të ngjarë që qëllimi aktual i ndjekur nga Beogradi dhe Banja Luka nuk është të bjerë alarmi për miratimin e Rezolutës për Srebrenicën, por të rrafshojë përfundimisht kuptimin dhe peshën e votave.
Gjithsesi, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk janë detyruese. Megjithatë, në të njëjtën kohë, politikanët dhe diplomatët serbë do të promovojnë aktivisht idenë e “paligjshmërisë de facto” të Rezolutës, në mënyrë që sa më shumë kombe të jetë e mundur thjesht ta injorojnë dokumentin.
Megjithatë, fushata për të niveluar Rezolutën mund të formohet në një aspekt tjetër – atë të brendshmin. Tani që vendimi ishte marrë dhe serbët nuk ishin në gjendje ta minimizonin rëndësinë e tij pavarësisht përpjekjeve të tyre të gjera ndërkombëtare, Beogradi dhe Banja Luka nuk do të reagojnë ndaj Rezolutës së miratuar për Srebrenicën sikur të jetë ndonjë gjë fatale. Për Republikën Srpska, kjo mund të çojë në ulje të tensionit në marrëdhëniet me Sarajevën dhe një ngadalësim në rrugën drejt vetëvendosjes së RS, siç u njoftua më parë nga Dodik. Megjithatë, marrëdhëniet serbo-boshnjake brenda Bosnjë-Hercegovinës do të mbeten të tensionuara.
Për Malin e Zi, pasojat e strategjisë së nivelimit të Rezolutës do të jenë gjithashtu sinjifikative. Ka të ngjarë që politikanët serbë lokalë, të cilët janë pjesë e koalicionit qeveritar, do ta demonizojnë qeverinë që vazhdoi me mbështetjen e Rezolutës për Srebrenicën. Kjo mund të nënkuptojë refuzimin e idesë së shembjes së koalicionit qeverisës dhe rinisjes së qeverisë.
Megjithatë, ka fusha ku do të jetë e pamundur të nivelizohet miratimi i Rezolutës. Kjo ka të bëjë kryesisht me politikën e jashtme.
Fushata e Beogradit që ndodhi kaq pranë datës së votimit në OKB tashmë ka krijuar kushte për përkeqësimin e marrëdhënieve të Serbisë me Perëndimin, në radhë të parë me Gjermaninë si iniciatore e Rezolutës. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet tashmë të ngrohta midis Serbisë dhe Hungarisë do të përmirësohen edhe më shumë pasi Budapesti vendosi jo vetëm të refuzojë mbështetjen e Rezolutës, por të votojë kundër saj, së bashku me Rusinë dhe Kinën. Rritja e vazhdueshme e ndjenjave anti-perëndimore në Serbi së bashku me forcimin e aleancës serbo-hungareze – me mbështetjen ruso-kineze – do të ndikojë si në rajonin e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në politikën evropiane në përgjithësi.