Pse është kaq e rëndësishme Budva? – Ljubomir Filipoviq

Pse është kaq e rëndësishme Budva? – Ljubomir Filipoviq

Budva është një qytet i vogël që zë pjesën qendrore të bregdetit malazez. Me një popullsi prej vetëm 25,000 banorësh, është një nga qytetet me rritjen më të shpejtë jo vetëm në Mal të Zi, por në tërë Ballkanin. Historia e këtij qyteti shtrihet thellë në të kaluarën, e përmendur në tragjeditë e Sofokliut si një vend mitik i themeluar nga mbreti i Tebës, Kadmus, dhe gruaja e tij, Harmonia.

Nëse shikoni një hartë të Perandorisë Romake në shekullin e 5-të të erës sonë, mund të shihni se kufiri midis provincave romake të Dalmacisë dhe Prevalitanës kalon përmes territorit aktual të Komunës së Budvës. Për shekuj me radhë, territori i Budvës ishte kufiri i fundit dhe më jugor kontinental i Evropës Perëndimore, fillimisht i Republikës Veneciane dhe më pas i Perandorisë Austro-Hungareze. Qyteti fqinj i Tivarit, sot në Mal të Zi, ishte tashmë pjesë e Perandorisë Osmane. Dallimet midis dy ndikimeve janë ende të dukshme në arkitekturën e dy qyteteve të vjetra.

Gjatë epokës jugosllave, Budva përjetoi një bum ekonomik. Ai u bë një destinacion turistik i nivelit të lartë dhe së bashku me Dubrovnikun, u bë një nga vendet e preferuara verore për vizitorët nga Evropa Perëndimore. Hoteli i qytetit Sveti Stefan u bë një nga monumentet e paraqitura në kartolinat e ish-Jugosllavisë.

Gjatë xhirimeve të bashkëprodhimeve të filmave perëndimore-jugosllave, shumë yje të filmave vizituan Budvën gjatë epokës së artë të viteve 1960 dhe 1970. Sophia Loren, Richard Burton, Richard Widmark, Sidney Poitier, dhe më vonë Sylvester Stallone, dhe gjatë luftës, Claudia Schiffer, zbukuruan kartolinat e këtij vendi.

Për shkak të popullsisë së saj të vogël dhe GDP-së së lartë, Budva konsiderohej si një ndër komunat më të pasura, në mos komuna më e pasur në ish-Jugosllavi.

Duke qenë se një e katërta e GDP-së së Malit të Zi gjenerohet ende nga turizmi dhe Budva kontribuon me gjysmën e trafikut turistik në Mal të Zi, bëhet më e qartë pse ky qytet është kaq i rëndësishëm për ekonominë dhe politikën e Malit të Zi.

Pas rivendosjes së pavarësisë, ky qytet u bë destinacioni i preferuar për oligarkët rusë, si dhe individë të pasur dhe manjatë nga vende të tjera të botës. Hoteli Splendid u hap në vitin 2005 dhe pronari dhe themeluesi i tij ishte gjenerali Viktor Ivanenko, drejtori i fundit i KGB RSFSR dhe drejtori i parë i FSB-së. U tha gjithashtu se Viktor Kholomoisky ishte pronari i hotelit të dytë më të madh, Hotel Avala. Qyteti u bë i njohur për korrupsionin dhe praninë e krimit të organizuar, kazinove dhe jetës së natës. Edhe filmi i James Bond “Casino Royale”, shërbeu si reklamë për hotelin Splendid.

Gjatë atyre viteve, Rolling Stones dhe Madonna mbajtën koncerte në Budva.

Pas krizës ekonomike globale të vitit 2008, tregu i pasurive të paluajtshme në Mal të Zi shpërtheu dhe administrata e Budvës duhej të jepte llogari. Filluan hetimet për marrëdhënie korruptive dhe dy kryebashkiakë përfunduan në burg. Hetimet përmendën lojtarë të ndryshëm globalë kontroversialë, nga bashkëpunëtorët e presidentit palestinez Yasser Arafat deri te grupet e krimit të organizuar rus dhe personat me interes të Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Largët. Edhe ish-kryeministri i Tajlandës Thaksin Shinawatra u bë banor i Budvës dhe shtetas malazez.

Pas shumë skandaleve, DPS-ja në pushtet e Milo Gjukanoviçit e humbi pushtetin në Budva në vitin 2016, në prag të ndryshimeve të mëdha në nivel shtetëror që do të ndodhnin në vitin 2020. U konsolidua sundimi i nacionalistëve pro-rusë dhe pro-serbë, dhe Fronti Demokratik mori pushtetin absolut në zgjedhjet e 2020 dhe 2022.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, ky qytet priti më së shumti refugjatë ukrainas dhe emigrantë rusë, dhe disa studime sugjerojnë se kishte një emigrant për çdo qytetar të Budvës.

Njerëzit që iknin nga lufta dhe regjimi i Putinit hasën paradoksin se autoritetet lokale mbështetën regjimin nga i cili ata ikën. Nacionalistët lokalë serbë, nën kërcënimin e dhunës në vitin 2022, ndaluan një koncert të grupit bjelloruso-ukrainas Lyapis Trubetskoy.

Sipas raportimeve dhe hetimeve, edhe pse premtuan ndryshime, autoritetet e reja vazhduan të njëjtat praktika korruptive. Edhe aktualisht, ata vetëm sa po ndryshojnë identitetin e qytetit duke e bërë atë një terren për promovimin e nacionalizmit serb dhe propagandës pro-Kremlinit.

Kështu, kryetari i ri i komunës dhe deri para pak kohësh deputet i parlamentit shtetëror dhe anëtar i komisionit të mbrojtjes dhe sigurisë, Milo Bozhoviç, u arrestua për trafikimin ndërkombëtar të kokainës.

Pas arrestimit të tij, pasoi një krizë qeveritare dhe Fronti Demokratik u nda në dy fraksione, të cilat përsëri morën mbi pesëdhjetë për qind të pushtetit në zgjedhjet e majit. Edhe pse duken si të përçarë për shkak të mosmarrëveshjeve personale, këto dy fraksione me shumë gjasa do të bëjnë sërish koalicion ndihmuar nga ndërmjetësimi i autoriteteve serbe dhe kishës ortodokse serbe. Këtë e ka konfirmuar së fundmi edhe vetë presidenti serb, i cili së fundmi ka premtuar zgjidhjen e problemit mes dy fraksioneve konfliktuale brenda lëvizjes pro-serbe pro-Kremlin në Budva.

Humbësi më i madh i zgjedhjeve në Budva është kryeministri Milojko Spajiq, i cili pas suksesit të vitit të kaluar dhe marrjes së gati një të katërtës së votave në zgjedhjet parlamentare në Budvë, mbështjetja për të ka rënë deri në 7 për qind. Humbja e mbështetjes i atribuohet fushatës në mediat serbe, e cila dominon hapësirën mediatike malazeze. Për shkak të vendimit të Spajiqit për të mbështetur rezolutën e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, ai u bë shënjestra e një fushate në mediat e afërta me Vuçiqin për javë të tëra, ku u shpall “tradhtar dhe shërbëtor i ambasadave perëndimore”.

Sido që të përdundojë historia e Budvës, tendenca e konsolidimit dhe aftësia për të rigjeneruar atë që dikur quhej Fronti Demokratik përbën një kërcënim të madh për demokracinë malazeze. Përveç shërbimit të interesave të regjimit të Vuçiqit, liderët e kësaj lëvizjeje dhe mbështetja e tyre mediatike janë më të përgjegjshmet për përhapjen e ndikimit rus në Mal të Zi përmes një narrative relativiste për natyrën e regjimit të Putinit dhe konfliktin në Ukrainë. Këto forca dominojnë koalicionin në nivel shtetëror dhe tregojnë shenja të devijimit të Malit të Zi nga rruga e tij e integrimit transatlantik. Qëndrimi ndaj Srebrenicës dhe ndaj pavarësisë së Kosovës janë vetëm disa nga shembujt që duhet të na alarmojnë.

Budva është e vogël për sa i përket popullsisë, por rëndësia e saj qëndron në ndikimin dhe influencën e saj. Shumë njerëz tashmë shohin paralele dhe analogji me autoritetet në kryeqytetin Podgoricë, skena politike e të cilit, siç paralajmërojnë analistët, mund të bëhet shumë shpejt identike me atë në Budva. Nëse kjo ndodh, mund të çojë fare lehtë në devijimin e Malit të Zi në një rrugë pa kthim, në atë të humbjes së sovranitetit dhe pavarësisë së tij.

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës.

Ljubomir Filipoviq. Politolog malazez