Shkolla e çfronësimit sipas Dodikut, Porfirijes dhe Putinit – Dragan Bursać

Shkolla e çfronësimit sipas Dodikut, Porfirijes dhe Putinit – Dragan Bursać

Mos pyet nëse do të ketë luftë. Tashmë ka arritur. Nuk mban erë baruti, por temjani dhe nafte. Ndërsa Patriarku i përulet fronit të Moskës dhe Dodiku flet për “liri”, duhet të dini se kjo nuk është liri. Kjo është robëri. Dhe pyetja nuk është se çfarë do të bëjmë kur të fillojë, por nëse do ta kuptojmë se tashmë ka filluar. Dhe ka filluar!

Imagjino një shtet ku presidenti luan rolin e të arratisurit dhe patriarku rolin e postierit. Por jo çfarëdo posteri – ai dërgon letra direkt nga Vladimir Vladimiroviç Putin. Në fakt, nuk ke pse ta imagjinosh. Kjo është Bosnja dhe Hercegovina me nëntonin e botës serbe, më saktësisht ajo ç’ka mbetur prej saj pasi anija luftarake ortodokse ruse është ankoruar në brigjet e Banja Lukës.

Sepse çfarë pamë në ditët e mëparshme?

Kryengritja e armatosur dhe përkulja ndaj Putinit

Pretendohet se SIPA u nis për të arrestuar Milorad Dodik. Pastaj, si me magji, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Srpska vendosi të mos i njihte institucionet e shtetit në të cilin ndodhet, dhe në një mënyrë të shkëlqyer, ushtarake, harmonike – rrethoi SIPA-n dhe tha: “Nuk do ta merrni Milon tonë!” fjalë për fjalë me manierizmin e pashmangshëm, për të cilin do të flas më vonë.

Në atë moment, të gjitha maskat ranë.

Sepse nuk është më thjesht një krizë politike, ngatërresë ligjore apo një shfaqje mediatike. Është një kryengritje e armatosur kundër shtetit, është një krah ushtarak i aktivizuar i botës serbo-ruse, në mes të Evropës, i cili marshon jo me tanke, por me procesione, automjete të blinduara dhe zhgune të armatosura.

Dhe ku është Porfirije gjatë kësaj ndodhie?

Atje, pikërisht atje.

Tek Putini.

E shihni, ndërsa Dodik po luan me ligjet si me mermerë fëmijësh, patriarku serb Porfirije po shkon në Moskë për të parë babanë e shenjtë e të gjithë autokratëve. Dhe ai nuk shkon të lutet për paqe. Jo. Ai shkon të betohet për besnikërinë e tij ortodokse të Shën Savës ndaj Perandorisë Ruse, të përulet para Cirilit, para priftit të oborrit rus që duket më shumë si gangster sesa si njeri i shenjtë.

Dhe pastaj, para syve të botës, në prag të kaosit gjeopolitik, Porfirije shqipton fjalitë kyçe:

“Qëndrimi ynë në lidhje me Kosovën, në lidhje me Republikën Srpska dhe Malin e Zi, mendoj dhe ndiej se varet edhe nga qëndrimi i shtetit rus, Federatës Ruse, në nivel global. Dëshira ime dhe e shumicës në kishën tonë është që në të ardhmen, nëse ka një ndarje të re gjeopolitike, të jemi afër mjedisit rus”.

Dhe pastaj shoku i tij, peshkopi Metropolitan Irinej Bulović, shton një fund si një refren i murmuritur:

“Për botën ruse.”

Për të cilën Porfirije tundi kokën si një fëmijë para një karameleje:

“Po, në botën ruse, në botën ortodokse.”

“Z” si Zvastika

Le të mos tregohemi naivë. Nuk është lajm i sotëm, as i djeshëm.

Simboli “Z”, i cili fillimisht ishte një shenjë e pushtimit rus të Ukrainës, sot është versioni i ri i svastikës – jo vetëm në Ukrainë, por në tërë Ballkanin. Në Novi Sad, Beograd, Banja Luka, ne tashmë shohim murale me “Z”, kryqe dhe ikona manastiri duke mbajtur mitraloz. Nuk është art. Është robërim dhe përvetësim kulturor. Është, siç do të thoshte Baudrillard, hiperrealiteti i një lufte që tashmë është këtu, edhe pse të shtënat nuk janë dëgjuar ende.

Po Kisha Ortodokse Serbe?

Kisha Ortodokse Serbe nuk është më (nëse ka qenë ndonjëherë) një institucion fetar. Është agjencia qendrore ideologjike e botës serbo-ruse. Françizë e Shërbimi Federal të Sigurisë së Federatës Ruse. Detyra e saj nuk është të shpëtojë shpirtrat e njerzëve, por të riformësojë vetëdijen – të krijojë një vëllazëri të re, jo ortodokse, por një vëllazëri sektare-nacionaliste që nuk njeh as shtetin, as ligjin, as Evropën, as qytetërimin.

Kisha Ortodokse Serbe ka të njejtin rol si Kisha Ortodokse në Rusinë Perandorake: shoqëruesja shpirtërore e autokracisë. Kisha Ortodokse bekon tanke, helmeta dhe trupa paraushtarake. Dhe nëse mendonit se kishte të bënte me besimin, gaboheni rëndë. Nën masken episkopale, ka të bëjë me imperializmin. Ka të bëjë me pushtimin shpirtëror.

Dhe kur prifti bekon armën, e di që dikush do të vdesë. Pyetja është – kush?

Ndikimi rus në Bosnjë dhe Hercegovinë: një model destabilizimi

Kremlini nuk dërgon brigada në BeH (Bosnje e Hervegovinë), por metoda, ideologji dhe para-religjione. Sepse nuk kanë nevojë për brigada. Është një model destabilizimi i kalibruar në mënyrë të përsosur, i përshtatur saktësisht për kushtet e Ballkanit. Funksionon në pesë hapa:

1. Blerja e besnikërisë së politikanëve: Milorad Dodik është një shembull shkollor. Ai u investua përmes lidhjeve politike, marrëveshjeve të biznesit (gaz, energji, telekomunikacion) dhe madje edhe shërbimeve private të sigurisë. Ai u bë një lojtar rus në BeH – jo nga ideologjia, por nga interesi.

2. Vendosja nën kontroll e Kishës si një mburojë ideologjike: Patriarku Porpfirije është një simbol i simbiozës së besimit dhe imperializmit. Kisha Ortodokse Ruse funksionon si një partner zyrtar i Kremlinit në krijimin e “hapësirës shpirtërore të botës ruse”. Narrativat ruse nuk përhapen vetëm përmes Sputnik – ato përhapen nga foltoret.

3. Krijimi i një mjegulle mediatike: RTRS, ATV, faqet e internetit të mediave të regjimit dhe qendrat e propagandës si IN4S në Mal të Zi – të gjitha këto formojnë një unazë rajonale propagande. Atje, informacioni nuk transmetohet, por prodhohet si armë. Një gënjeshtër është një metodë, dhe mashtrimi është një mënyrë veprimi.

4. Formimi i strukturave alternative forcuese: SAJ RS, kompani private me trajnim paraushtarak, njerëz pa shenja dalluese ose me shenja dalluese paralele të të dy vendeve po ruajnë Dodikun – e gjithë kjo evokon modelin Wagner. Dodik nuk u beson institucioneve vendase – prandaj ai ndërton të vetat. Ashtu siç bëri Putini në Donbas.

5. Paralizimi i shtetit nga brenda: sa herë që Dodik shkakton një krizë, institucionet e BeH reagojnë me vështirësi. Pse? Sepse mekanizmi i vetos, bllokimit të entiteteve dhe institucioneve të ngopura nuk lejon asnjë reagim vendimtar. Kremlini nuk kishte pse ta shkatërronte Bosnjën dhe Hercegovinën – thjesht mësoi si ta godiste gozhdën në kokë.

Rezultati: BeH është ende formalisht një shtet, por funksionalisht – një eksperiment në laboratorin hibrid rus.

Tre skenarë për BeH

Skenari i zi – një metastazë e pushtimit rus pa tanke:

RS (Republika Srpska) po bëhet gjithnjë e më shumë një entitet në kuptimin ligjor që arrin shtetësinë dhe është në thelb gjithnjë e më pak pjesë e shtetit të BeH. Kisha Ortodokse Serbe përhap ideologjinë ruso-ortodokse, dhe institucionet e BeH janë një sfond i pafuqishëm. Bosnja dhe Hercegovina bëhet një zonë buferimi rus. Derisa të qëllojë plumbi. Sepse plumbi është i pashmangshëm. Fatkeqësisht, një skenar shumë i mundshëm.

Skenari gri – konflikti i ngrirë si një gjendje e përhershme:

Asnjë shpërthim i madh, por as lëvizje. Dodiku luan ping-pong me SIPA-n, Kisha Ortodokse Serbe “bën thirrje për paqe”, dhe Rusia e mban entitetin të varur. BE-ja dhe SHBA-ja dërgojnë njoftime të pafuqishme pa mjetet për të zgjidhur situatën. Bosnja dhe Hercegovina po bëhet një rrënojë pas konfliktit pa luftë.

Skenari i bardhë – reagimi vendimtar i Perëndimit dhe pastrimi nga brenda:

E vetmja rrugëdalje – sekularizimi pa kompromis, çarmatimi i strukturave paraushtarake, lustracioni i satelitëve rusë dhe angazhimi ndaj BE-së dhe NATO-s. Kisha Ortodokse Serbe duhet të jetë një institucion fetar, jo politiko-ushtarak. Dodiku duhet të jetë pas hekurave, dhe partia e tij SNSD të shpërbëhet ose të thirret seriozisht në përgjegjësi.

Përfundim: Prezantimi i Rusisë në Bosnja dhe Hercegovinë nuk është me tanke, por me temjan.

Mos pyet nëse do të ketë luftë. Tashmë ka arritur. Nuk mban erë baruti, por temjani dhe nafte. Ndërsa Patriarku i përulet fronit të Moskës dhe Dodiku flet për “liri”, duhet të dini se kjo nuk është liri. Kjo është robëri.

Dhe pyetja nuk është se çfarë do të bëjmë kur të fillojë, por nëse do ta kuptojmë se tashmë ka filluar. Dhe ka filluar!

Dragan Bursać. Profesor i filozofisë, kolumnist dhe gazetar (BeH).

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës