Milorad Dodik nuk ishte kandidat në këto zgjedhje. Një gjykatë e ndaloi atë të mbante poste publike për shkak të përpjekjes për të minuar rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit. Dhe pastaj erdhi nata e zgjedhjeve; partia e tij festoi, njerëzit e tij fituan, ndërsa ai falënderoi Trumpin dhe Putinin. Nëse jeni duke kërkuar një tablo të Bosnjës dhe Hercegovinës pas zgjedhjeve, do ta keni të vështirë të gjeni një më të mirë se kjo.
Për fillim, duhet thënë kjo: sistemi zgjedhor i Bosnjës dhe Hercegovinës duket si diçka që e ka krijuar Franz Kafka pas disa netësh pa gjumë, ndaj ia vlen të shpjegohet shkurtimisht.
Pas luftës së viteve 1992–1995, Bosnja dhe Hercegovina u nda përmes Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në dy entitete: Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, ku boshnjakët dhe kroatët përbëjnë shumicën, dhe Republika Srpska, ku serbët përbëjnë shumicën. Në krye të shtetit qëndron një Presidencë tre-anëtarëshe, e përbërë nga një anëtar boshnjak, një kroat dhe një serb. Më poshtë vijnë parlamenti shtetëror, parlamentet e entiteteve, dhjetë kantonet në Federatë, dhomat e popujve, qeveritë dhe një xhungël e tërë mekanizmash, përmes të cilëve formimi i qeverisë në këtë vend është i vështirë, ndërsa bllokimi i saj është jashtëzakonisht i lehtë.
Marrëveshja e Dejtonit e ndaloi luftën në vitin 1995. Tridhjetë e një vjet më vonë, mund ta shohim gjithnjë e më qartë se sa shumë nga pasojat politike të luftës ajo i ngriu në vend.
Dhe pastaj erdhën zgjedhjet e 4 tetorit 2026.
Votuesit dërguan një mesazh që shumëkush do ta ketë të vështirë ta pranojë.
Tre popuj, tri realitete politike
Zheljko Komshiq, anëtari kroat në largim i Presidencës dhe lideri i Frontit Demokratik (parti me orientim qytetar/jo-etnik), tha një nga gjërat më të rëndësishme të kësaj nate zgjedhore pas humbjes së rëndë të kandidatit të tij, Slaven Kovaçeviq: ndoshta qytetarët dhe popujt e këtij vendi thjesht nuk e duan një Bosnje dhe Hercegovinë qytetare. Ajo fjali lëndon këdo që, gjatë tri dekadave të fundit, besonte se Bosnjë-Hercegovina një ditë do t’i kapërcente ndarjet etnike dhe etno-nacionale të Dejtonit.
Megjithatë, kutia e votimit nuk njeh sentimentalizëm.
SNSD-ja e Milorad Dodikut – mbështetës i Putinit – mbeti forca politike dominuese në Republika Srpska. Zhelka Cvijanoviq, bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë, mbetet anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa kandidati i SNSD-së, Savo Miniq, fitoi garën për president të Republika Srpskës.
HDZ BiH-ja e Dragan Çoviqit e rimori vendin kroat në Presidencë. Darijana Filipoviq e mundi Slaven Kovaçeviqin, duke i dhënë kështu fund një periudhe disa-vjeçare gjatë së cilës anëtari kroat i Presidencës nuk vinte nga radhët e HDZ-së.
Te boshnjakët, situata është krejtësisht ndryshe. Denis Beqiroviq nga SDP-ja fitoi një mandat të dytë në Presidencë, ndërsa SDA-ja e Bakir Izetbegoviqit arriti një rezultat të fuqishëm në nivel parlamentar.
Pluralizmi boshnjak si një absurditet
Këtu vijmë te një nga paradokset më të mëdha të Bosnjë-Hercegovinës.
Boshnjakët janë sot i vetmi nga tre popujt përbërës ku ende funksionon një pluralizëm serioz politik. Votat e tyre janë të shpërndara mes SDA-së, SDP-së, NiP-it, “Partisë Sonë” (Nasha stranka) dhe një sërë opsionesh të tjera më të vogla politike që rivalizojnë me njëri-tjetrin për çdo mandat. Te serbët e Bosnjës, SNSD-ja e Dodikut ka funksionuar prej vitesh si qendra e gravitetit politik. Te kroatët e Bosnjës, HDZ BiH mban një pozicion pothuajse hegjemonist.
Kështu, populli me pluralizmin më të madh të brendshëm politik shpesh ka disiplinën më të ulët negociuese, ndërsa blloqet kombëtare të homogjenizuara i shndërrojnë votat në pushtet institucional në mënyrë shumë më efikase.
Dhe pikërisht kjo është ajo që pritet të dalë në pah.
Çoviq sapo ka filluar
Pas zgjedhjeve, lindi një shpresë pothuajse prekëse te një pjesë e opinionit publik në Sarajevë: HDZ-ja fitoi vendin e anëtarit kroat në Presidencë, Dragan Çoviq arriti atë që kishte kërkuar prej vitesh dhe tani, me gjasë, do të jetë i kënaqur.
Kushdo që mendon se orekset e HDZ-së dhe të Çoviq-it janë ngopur me një vend në Presidencë, nuk e kupton politikën.
Sepse Çoviq mori atë që prej vitesh e kishte paraqitur si provën kryesore të diskriminimit politik të kroatëve: një kandidat të HDZ-së në Presidencë. Me këtë, u zhduk edhe argumenti i tij më efektiv – se boshnjakët, si popull më i shumtë në numër, zgjedhin një përfaqësues politik për kroatët.
Dhe tani vjen fatura.
HDZ-ja do të kërkojë ndryshime në Ligjin Zgjedhor, garanci shtesë institucionale, ndikim edhe më të madh në sistemin politik dhe ruajtjen e të gjitha mekanizmave që i mundësojnë asaj, me një numër relativisht të vogël votash, të ushtrojë një fuqi të jashtëzakonshme negociuese.
Çoviq është ndoshta fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve, pikërisht sepse është mjeshtër i pazareve politike, ku jep më pak dhe merr më shumë.
Fitorja e tij përfundoi më 4 tetor.
Vjelja e fryteve të saj sapo ka filluar.
Më pas, rikthehemi te Dodiku
Prej vitesh, Milorad Dodiku ka qenë aleati politik më i besueshëm i Kremlinit në Bosnjë-Hercegovinë. Marrëdhënia e tij me Vladimir Putinin e ka tejkaluar prej kohësh kufirin e bashkëpunimit diplomatik. Dodiku udhëton drejt Moskës, takohet me Putinin, mbështet politikën ruse, kundërshton integrimin e Bosnjë-Hercegovinës në NATO dhe punon sistematikisht për të siguruar që shteti të mbetet i ngecur mes Brukselit dhe Moskës.
Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, ai ishte sërish me Putinin.
Më pas erdhën zgjedhjet dhe treguan një gjë shumë të rëndësishme: një vendim gjykate mund ta heqë Dodikun nga posti, por vetvetiu nuk mund t’ia heqë atij pushtetin politik.
Njeriu që nuk u lejua të kandidonte tregoi se ende mund ta kontrollojë pjesën më të madhe të jetës politike të Republikës Sërpska. Partia e tij fitoi, njerëzit e tij siguruan postet më të rëndësishme dhe makineria e tij politike mbeti në këmbë.
Dhe pas gjithë kësaj, Dodiku falënderoi Trumpin dhe Putinin.
Ato dy emra thonë më shumë se dhjetë analiza mbi zgjedhjet në Bosnjë-Hercegovinë.
Tanket ruse nuk kanë nevojë të arrijnë në Ballkan
Imperializmi rus në Ukrainë po shfaq fytyrën e tij më brutale: raketa, dronë, pushtim, qytete të shkatërruara, varre masive dhe një përpjekje për të ndryshuar kufijtë me forcë.
Për momentin, në Ballkan nevojitet shumë më pak.
Moskës nuk i duhen tanke këtu. Mjafton një sistem politik që mund të bllokohet. Mjafton një lider lokal që do të përsërisë çdo mëngjes se shteti në të cilin jeton është i pamundur, i përkohshëm dhe i dënuar me shpërbërje. Mjafton një qeveri që do ta portretizojë NATO-n si armik, Bashkimin Evropian si fuqi koloniale, Rusinë si mbrojtëse të botës ortodokse dhe kriminelët e luftës të viteve ’90 si heronj kombëtarë.
Interesat ruse në Ballkan nuk kanë kërkuar kurrë krijimin e ndonjë perandorie të madhe pro-ruse. Kjo do të ishte e kushtueshme, e ndërlikuar dhe e panevojshme.
Është shumë më lirë të prodhosh paqëndrueshmëri. Bosnje-Hercegovina është një vend pothuajse ideal për një politikë të tillë: institucione qendrore të dobëta, të drejta vetoje mbi baza etnike, trauma të pazgjidhura të luftës, refuzimi i Serbisë për të shkëputur lidhjet me Moskën, si dhe elita politike pro-Putin e Republika Srpskës, e cila e lidh mbijetesën e saj me krizën e përhershme.
Putinit nuk i duhet ta pushtojë Sarajevën.
Atij i mjafton që Sarajeva të mos bëhet kurrë një kryeqytet evropian plotësisht funksional.
Lamtumirë, Bosnja Qytetare
Rezultati i dytë madhor i këtyre zgjedhjeve është shumë më i pakëndshëm për ata prej nesh që prej vitesh kemi folur për Bosnjë-Hercegovinën si një shtet të ardhshëm qytetar dhe multietnik.
Opsioni politik qytetar pësoi një disfatë të rëndë. Një fiasko dhe një debakël.
Mund të flasim për Dejtonin, elitat etno-nacionaliste, komunitetin ndërkombëtar, gabimet politike të Zhelko Komshiçit, kuadrot e dobëta të Frontit Demokratik, kompromiset e “Trojkës” dhe pjesëmarrjen katastrofalisht të ulët prej rreth 42 për qind.
E gjithë kjo qëndron.
Por qëndron edhe verdikti i kutive të votimit.
Ai na tregon se në vitin 2026, qytetarët politikisht aktivë të Bosnjë-Hercegovinës votuan kryesisht brenda hapësirave politike kombëtare.
Ndoshta Bosnja qytetare sot ka më shumë mbrojtës intelektualë sesa votues.
Ky konstatim është i dhimbshëm, por i dobishëm. Një shtet qytetar nuk do të krijohet thjesht sepse ne e përsërisim shprehjen “shtet qytetar” mjaftueshëm herë, e as nacionalizmi nuk do të zhduket sepse ne e konsiderojmë atë intelektualisht të neveritshëm.
Njerëzit duhen fituar sërish.
Sepse një person në Mostar, Sarajevë, Banja Llukë apo Srebrenicë duhet të ketë të drejta të barabarta, pavarësisht nëse quhet Ivan, Emir apo Aleksandar, apo nëse bën pjesë te ata që kushtetuta jonë i klasifikon në mënyrë poshtëruese si “Të Tjerët”.
Zgjedhjet thjesht treguan se sa larg jemi nga kjo.
Shteti si Gabim
Këtu historia boshnjake pushon së qeni thjesht boshnjake.
Politika ruse mbështetet në një ide të vjetër perandorake: disa shtete janë gabime historike.
Sipas mitologjisë putiniste, Ukraina është një krijesë artificiale. Në retorikën e Dodikut dhe të nacionalizmit të Serbisë së Madhe, edhe Bosnjë-Hercegovina konsiderohet një shtet i pamundur, një aksident historik dhe një rregullim i përkohshëm që një ditë do të zhduket.
Metodat ndryshojnë; modeli është rrëqethësisht i njohur dhe identik.
Së pari, u shpjegoni njerëzve se shteti në të cilin jetojnë nuk ka kuptim. Pastaj i bindni se identiteti i tyre etnik vlen më shumë se shteti i përbashkët. E shpallni një vend fqinj si atdheun e tyre të vërtetë. Ju e shndërroni shtetin tuaj në armik, institucionet e tij në organe pushtimi dhe çdo vendim që nuk ju pëlqen në një sulm ndaj popullit tuaj.
Dhe pastaj prisni një moment historik të favorshëm.
Bosnjë-Hercegovina e ka ndjekur këtë shkollë për tridhjetë vjet.
Prandaj, rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk duhen parë thjesht si një tjetër histori ekzotike ballkanike për serbët, kroatët dhe boshnjakët që zihen për herë të panumërt.
Kjo është një histori evropiane.
Bashkimi Evropian po dobësohet. Nacionalizmi po rritet. Qendra politike liberale po humbet forcën. Uashingtoni po ndryshon prioritetet e tij. Putini po kërkon çdo çarje përmes së cilës mund të zgjerojë ndikimin rus pa shkrepur asnjë plumb.
Dhe Bosnjë-Hercegovina përbëhet tërësisht nga çarje.
Putini ende mund të kënaqet
Pas këtyre zgjedhjeve, do të kemi parlamente të reja, një qeveri të re dhe negociata të pafundme për koalicionin. Dragan Çoviq do të kapitalizojë fitoren e tij. SDA do të përpiqet të rimarrë sa më shumë pushtet të jetë e mundur. “Trojka” do të përpiqet t’u mbijetojë humbjeve të veta. Milorad Dodik, qoftë pa një post zyrtar apo përmes ndonjë marrëveshjeje të re politike, do të vazhdojë të drejtojë Republika Srpskën dhe të kontrollojë Bosnjë-Hercegovinën.
Dhe mbi të gjitha këto, mbetet një imazh nga nata e zgjedhjeve.
Dodiku feston fitoren e popullit të tij dhe falënderon Trumpin e Putinin.
Këtu përfundon e gjithë filozofia e madhe e zgjedhjeve në Bosnjë.
Sepse fitorja e Putinit në Evropë nuk ka pse të duket si një flamur rus që valëvitet mbi një qytet të pushtuar. Ndonjëherë, ajo duket si një natë zgjedhjesh në Banja Llukë, në zemër të një shteti të cilit Bashkimi Evropian i ka premtuar një të ardhme evropiane prej njëzet vitesh, ndërsa njeriu që ëndërron ta copëtojë atë, feston dhe falënderon Kremlinin.
Asnjë ushtar rus nuk u desh të udhëtonte qoftë edhe një kilometër të vetëm.
Moska gjithsesi gjeti një arsye për të ngritur gotën në dolli.
Dragan Bursać. Professor of philosophy, columnist and journalist (BiH).

Materialet e publikuara në rubrikën “Opinionet” pasqyrojnë mendimin personal të autorit dhe mund të mos përkojnë me qëndrimin e Qendrës
